Zgjedhjet në SHBA, Moska: Akuzat për ndërhyrje, qesharake

12/10/2016 00:00

Akuzat ndaj Moskës për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane janë qesharake, ka deklaruar ministri i Jashtëm rus, Serghiei Lavrov.

Në një intervistë për rrjetin informativ amerikan CNN, Lavrov ka theksuar se, nuk ka parë qoftë një provë të vetme ku të bazohen të tilla akuza.

“Është qesharake të kesh këtë llojë vëmendjeje për një fuqi rajonale, siç na cilësoi presidenti Obama pak kohë më parë”, ka thënë Lavrov për gazetaren Christiane Amanpour.

“Tani të gjithë në Shtetet e Bashkuara thonë se është Rusia ajo që menaxhon zgjedhjet amerikane, por nuk ka asnjë fakt të vetëm”, ka shtuar Lavrov.

Pak ditë më parë, në një intervistë për televizionin rus Channel One, Lavrov deklaroi se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë pësuar ndryshime rrënjësore.

Lavrov tha se politikat e Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë bazohen tek “rusofobia agresive” dhe implementimi i tyre po dëmton interesat kombëtare të Rusisë dhe po kërcënon sigurinë e saj.

Top Channel