Haiti, pas uraganit “Matthew” kërcënon epidemia e kolerës

10/10/2016 00:00

Përpjekjet e rimëkëmbjes përballen me sfida të mëdha në Haitin e goditur rëndë prej uraganit më të fuqishëm të një dekade në Atlantik.

Një krizë e re kërcënon banorët e vendit më të varfër në hemisferën perëndimore: epidemia e kolerës. Sëmundja po përhapet dhe situatën e komplikon edhe më shumë mungesa e ujit të pastër.

Numri i viktimave nga uragani “Matthew” luhatet tanimë në 1.000. Disa prej të vdekurve po vendosen në varre masive në jugperëndimin e shkatërruar të vendit, ku kolera është duke u kthyer në kërcënimin kryesor.

Në komunat Chardonnieres, Port-a-Piment dhe Coteaux, njerëzit janë të dëshpëruar për ujë të pijshëm, ushqime dhe strehim. Për kilometra të tëra, syri aty nuk sheh veçse shkatërrim dhe dëshpërim.

“Na duhen serume dhe tableta për purifikimin e ujit, ndryshe nuk i shpëtojmë dot jetët e këtyre njerëzve”, tha Pierre Louis, mjek.

As ndihma qeveritare dhe as ajo e huaj nuk po mbërrijnë me ritme të shpejta, ndaj shumë njerëzve në zonat e goditura prej stuhisë u duhet të mbështeten tek arrat e kokosit për ushqim e për ujë.

Një pjesë e rezervuarëve të ujit janë ndotur nga kafshët e ngordhura. Kolera shkakton diarre të rëndë dhe, nëse nuk trajtohet në kohë, njeriu mund të vdesë shumë shpejt nga dehidratimi.

Top Channel