Raporti i Totozanit: Vendorët, largime të paligjshme nga puna

04/10/2016 00:00

Avokati i Popullit Igli Totozani i ka dorëzuar Kuvendit raportin e veçantë: “Pushteti Vendor pas Reformës Territoriale- Administrative dhe rregullimi i marrëdhënieve të punës”.

Në këtë raporti z. Totozani vëren largime të kundraligjshme nga puna, duke u shprehur se kjo situatë krijon paqëndrueshmëri në administratën e pushtetit vendor.

“Procedurat e kundraligjshme të ndjekur në kundërshtim me dispozitat ligjore të ligjit për shërbimin civil, në asnjë rast nuk evidentojnë mbajtjen e përgjegjësisë indivduale nga njësitë përgjegjëse, por penalizimi ka ardhur vetëm në drejtim të nëpunësve, duke i larguar në mënyrë të kundraligjshme nga puna. Kjo situatë krijon paqëndrueshmëri për administratën e pushtetit vendor, duke larguar punonjës të trajnuar dhe të specializuar në funksionet e tyre, gjë që ndikon në cilësinë e shërbimeve për qytetarët”, shprehet Avokati i Popullit.

Sipas shifrave të publikuara në këtë raport, bashkia e Fierit rezulton me numrin më të lartë të punonjësve të larguar. “Në 51 Bashki në vend me struktura tranzitore, janë larguar në total 3059 punonjës, prej të cilëve: 319 janë nëpunës civil ose 11% e punonjësve e totalit të punonjësve të larguar. 2740 janë punonjës marrëdhëniet e punës të të cilëve janë rregulluar sipas Kodit të Punës ose në total 89% e punonjësve të larguar”, thuhet në raport.

Top Channel