Marrëveshja për “Brexit”, vendet e “Visegradit” kërcënojnë me veto

18/09/2016 00:00

Një grup vendesh anëtare të BE-së nga Europa Qendrore, të njohura si katërshja e Visegradit, është i gatshëm të përdorë veton kundër çdo marrëveshjeje për “Brexit”-in që do të kufizonte të drejtën e njerëzve për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas kryeministrit sllovak, Robert Fico – i cili foli për “Reuters”, – Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia nuk pranojnë kompromis në negociata në këtë drejtim. Komentet e Ficos bëhen një ditë pas samitit të parë të BE-së pa praninë e Britanisë.

Megjithëse nuk u diskutua formalisht, ishte tema e “Brexit”-it që dominoi në samitin e Bratisllavës. Fico deklaroi se ai dhe udhëheqësit e vendeve të tjera të Europës Qendrore, banorët e të cilave përbëjnë shumicën e popullatës emigrante në Britani, nuk do të lejojnë që ata të bëhen qytetarë të klasit të dytë.

“Vendet e katërshes së Visegradit nuk pranojnë kompromis në këtë çështje. Nëse nuk kemi garanci se këta njerëz janë të barabartë me britanikët, ne do të përdorim veton ndaj çdo pakti mes BE-së dhe Britanisë”, deklaroi kryeministri Fico.

Vendet e tjera të katërshes së Visegradit, ndërkohë, nuk kanë dalë hapur në mbështetje të fjalëve të Ficos, por as i kundërshtuan ato, duke thënë se presidenca e përkohshme e grupit mbahet nga Polonia dhe i takon asaj që të flasë në emër të grupit.

Në të njëjtin kuadër, zyrtarë britanikë thanë se nuk kanë ndërmend që të komentojnë negociata pa pushim si një ndeshje futbolli, pasi një qasje e tillë nuk sjell marrëveshjen më të mirë për Mbretërinë e Bashkuar.

Top Channel