Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Daut Haradinaj i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Në letrën publike të Haradinajt drejtuar Mustafës kërkohet që të mos lejohet ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se kufiri duhet të përcaktohet në bazë të kritereve të tjera, e jo mbi bazën e kadastrave të falsifikuara.
Lexoni të plotë letrën e Haradinajt dërguar Mustafës:
“Skenari i radhës i shumicës parlamentare, përkatësisht i Isës dhe Hashimit për Kufirin, është që ta fusin një fjali në marrëveshjen për kufirin, se gjoja kufiri mund të korrigjohet edhe pas ratifikimit në Kuvend. Ky është një mashtrim ordiner, sepse në Kuvendin e Kosovës nuk mund të ratifikohet asnjë version tjetër, përpos atij që është ratifikuar në Parlamentin e Malit të zi. Kjo që po e përgatisin Isa dhe Hashimi, është mashtrimi më i flliqtë i mundshëm.
E dyta, asnjë debat mbi parimin kafastral të marrëveshjes për kufirin, nuk mund të prodhojë rezultat tjetër. Kufiri duhet të përcaktohet edhe në bazë të kritereve të tjera, e jo vetëm mbi bazën e kadastrave të falsifikuara.
Thirrja ime për të gjithë ata që po duan ta legjitimojnë humbjen e 8 mijë e sa hektarëve tokë të Kosovës është: “Mos e bëni këtë gabim, sepse do t’iu mallkojnë brezat që vinë. Mos e bëni këtë tradhti!”.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Mustafës. Në përgjigjen e tij drejtuar Haradinajt, kryeministri i Kosovës ka thënë se në vend të kërcënimeve do të ishte mirë që ai të prezantojë argumentet. Kryeministri, ndër të tjera i ka thënë deputetit Haradinaj që të japë llogari për disa ligje të votuara nga grupi parlamentar i AAK-së me këtë kufi të përcaktuar, siç është ligji për shpalljen e Bjeshkëve të Nemuna si zonë e mbrojtur.
Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Mustafës:
“Sot e lexova një ultimatum të deputetit Daut Haradinaj në “letrën e tij publike” që mos t’i bëjë tradhti vendit me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Deputeti Haradinaj e paska marrë në dorë ligjin (apo kanunin) për të caktuar se kush dhe për çfarë është tradhtar, duke parashikuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
Qeveria do t’ia prezantoj Kuvendit Marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, sipas argumenteve të Komisionit shtetëror.
Z. Haradinaj, në vend të kërcënimeve do të ishte e rrugës t’ia prezantoj Kuvendit argumentet se cila tokë që është administruar nga Kosova përfundimisht më 31 dhjetor të vitit 1988 iu paska dhënë Malit të Zi.
Unë do tu gëzohesha argumenteve të tilla. Por, deri sot, përveç manipulimeve me harta topografike e ushtarake, në periudha kohore të cilat nuk i përkasin kohës dhe rrethanave të shpalljes së pavarësisë, si dhe kërcënimeve dhe denigrimeve, asnjë argument nuk është ofruar as nga ata që e pollën këtë kauzë të humbjes së 8,000 hektarëve e as nga ata që po i thonë vetes specialist dhe që janë vënë në shërbim të kësaj kauze dhe të politikës populliste.
Z . Haradinaj duhet tu tregoj qytetarëve të Kosovës, pse grupi parlamentar i AAK-së votoi Ligjin për Shpalljen e Bjeshkëve të Nemuna zonë të mbrojtur në po këta kufij me Malin e Zi. Duhet tu tregoj qytetarëve pse Plani Hapësinor i Kosovës, i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës ( i nënshkruar nga Kryetari i mëparshëm i Kuvendit) është në po këta kufij. Tu tregoj qytetarëve se pse Ligji për kufijtë Komunal i aprovuar në vitin 2012 ( i nënshkruar nga kryetari i mëparshëm i Kuvendit) është në këta kufij. Tu tregoj qytetarëve të Pejës, pse Plani Zhvillimor Komunal i Pejës, që është drejtuar nga AAK, është në këta kufij.
Të më tregoj edhe mua si qytetar i këtij vendi.
Argumentet nuk zëvendësohen me trimëri dhe as me kërcënime. Kur nuk ka argumente, trimëria shndërrohet në ligësi”.
Top Channel