Takimet e Bashës në Itali: Shqipëria, e kapur nga krimi e korrupsioni

12/05/2016 15:20

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë vizitës së tij në Romë u takua me drejtues të lartë të Senatit dhe Dhomës së Deputetëve të Italisë, si dhe me zëvendësministrin e Jashtëm të këtij vendi.

Sipas një njoftimi për shtyp nga selia e PD, Basha u prit në takime të veçanta nga ish-presidenti i Italisë, senatori Giorgio Napolitano; presidenti i Komisionit për Punët e Jashtme në Senatin italian, Pier Ferdinanto Casini; etj.

Situata e rënde ekonomike, korrupsioni i përhapur kudo, dekriminalizimi dhe zgjedhjet ishin në qendër të takimeve të zotit Basha.

“Gjendja në vend ka precipituar sa i përket parametrave të luftës kundër krimit, korrupsionit, por edhe sa i takon demokracisë e zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Basha.

Ai nënvizoi se, ekonomia është zhytur në krizë, niveli i papunësisë e varfërisë sa vjen e thellohet, duke sjellë sipas tij pasoja të jashtëzakonshme për vendin.

“Pasoja, të cilat ndihen dhe në vendet e Bashkimin Europian, ku më shumë se 100 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil politik”, tha Basha.

Problemi më i madh në Shqipëri, vijoi ai, është inkriminimi i politikës, “katapultimi në parlamentin shqiptar dhe në zyrat kryesore të vendimmarrjes i personave me rekorde të tmerrshme kriminale”.

“Ndokët, frrokët, prengët, bushët, roshët kanë qenë kryefjalë e aksionit politik të Partisë Demokratike dhe sot janë subjekt i një procesi të njohur tashmë ndërkombëtarisht si procesi i dekriminalizimit”, tha Basha.

Nxjerrja jashtë zyrave të shtetit të të inkriminuarve, vijoi ai, është ekzistenciale për të sotmen dhe të nesërmen e demokracisë shqiptare dhe shtetit ligjor.

Një vend të veçantë në bashkëbisedimet e zotit Basha me personalitet e politikës italiane zunë vend zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ai bëri të ditur se ato janë prioritet kryesor i Partisë Demokratike, e cila, siç tha ai, e ka gati platformën që garanton një proces të lirë e të ndershëm, pa shit-blerje votash, intimidim votuesish dhe garantim të leximit të drejtë të vullnetit të zgjedhësve.

Duke e konsideruar një betejë të vështirë për shkak se “oligarkia tenton ta asgjësojë votën e lirë, median e lirë, mendimin e lirë, shoqërinë civile dhe opozitën”, Basha kërkoi ndihmën e Italisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA