Rama: PD thërret armët për t’u mbrojtur nga reforma në drejtësi

25/04/2016 13:30

Duke drejtuar mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Edi Rama ka akuzuar opozitën se nuk ka vullnet për reformën në drejtësi për shkak të frikës që ka prej saj, ndaj dhe bën thirrje sipas tij për t’u armatosur.

“Vendimit të byrosë sipas rregullorës së Kuvendit të Shqipërisë për të moslejuar për 10 ditë atë që bëri thirrje për marrjen e armëve, PD i është përgjigjur me bojkot 10 ditë të punimeve të Kuvendit. Pra, me solidaritet të plotë me thirrjen “merrni armët që të mbrohemi nga reforma në drejtësi””, ka deklaruar Rama.

“Bën apo ndërton”, ka shtuar ai, “PD-së i është shtuar nevoja e brendshme therrëse për të penguar me çdo kusht reformën në drejtësi”. “Prandaj intensiteti i tensionit artificial vjen duke u rritur dita ditës dhe përpjekja e kërkimit të alibive dhe justifikimeve bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar”, ka thënë Rama.

Një pjesë të mirë të fjalimit të kryeministrit e ka zënë ekonomia, e cila sipas tij, përkundër deklaratave pesimiste, po kalon momente pozitive, gjë që iu konfirmua edhe nga Banka Botërore gjatë vizitës në SHBA.

“Në Shqipëri borxhi publik sot është krejtësisht nën kontroll”, ka thënë Rama, duke theksuar se, ndërhyrja që u bë në vitin 2013, “për të shmangur kolapsin financiar në vend”, mundësoi uljen e tij.

Gjithashtu, ka vijuar Rama, “kemi garantuar që 97 për qind e shqiptarëve të kenë sot më pak taksa se në 2013”. Ndërsa investimet e huaja, sipas tij, kanë arritur një rekord historik.

Nga ana tjetër, punësimi, ka shtuar kreu i qeverisë, “është një sfidë e madhe për Shqipërinë, rajonin dhe Evropën”.

Më herët gjatë fjalimit, Rama tha se, qeveria e tij ka hapur gjatë këtij mandati kantierin më të madh të reformave dhe përpjekjet më të mëdha për të bërë shtet.

“Bëmë reformën në sistemin fiskal, e domosdoshme për të vendosur ekonominë në ekuilibër. Reformën në sistemin energjitik, duke e kthyer nga një sistem i falimentuar në një sistem që krijon kushte për të ardhura. Reformën në sistemin e ndihmës ekonomike, reformën në sistemin arsimor në të gjitha nivelet, në sistemin shëndetësor, në forcat e rendit, administratës publike, etj”, nënvizoi Rama.

Në vlerësimin e tij, “këto janë reforma në proces që do të kërkojnë kohën e tyre për të dhënë frytet e dëshiruara”. “Por të gjitha këto reforma, aq sa të rëndësishme, aq janë të lidhura me reformën në drejtësi”, tha Rama.

Kryetari i PS iu referua edhe asamblesë së kësaj partie, duke thënë se, ripërtëritja e këtij forumi dhe kryesisë janë një premisë pozitive për të ecur me sukses përpara.

“I bëj thirrje përfaqësisë së re që të jetë në lartësinë e duhur. Jemi në një fazë historike për vendin, që përkon me rikonfirmimin e mandatit tonë qeverisës vitin e ardhshëm. Të nisim dialogun e ri me Shqipërinë, që duhet të nisë nga baza e PS dhe të vazhdojë në çdo cep të Shqipërisë”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA