Prokuroria e Pogradecit ka dërguar për gjykim për shpërdorim detyre kryeinspektoren e IKMT-së, Dallëndyshe Bici dhe një tjetër zyrtar të këtij institucioni, Fatmir Meta.
Hetimet kanë nisur pas kallëzimit të një banori të Udënishtit në Pogradec, i cili i ka kallëzuar për prishje në mënyrë të paligjshme të lokalit të tij 450 m2, në zonën e Liqenit të Ohrit.
Ai ka kallëzuar në Prokurorinë e Pogradecit se dy drejtuesit e IKMT, në kundërshtim të plotë me ligjin, kanë shkatërruar godinën e biznesit të tij ”B…A…”, pavarësisht se ai ishte i pajisur me dokumentacionin e plotë ligjor për ndërtesën dhe ushtrimin e aktivitetit. Po sipas kallëzuesit, pas prishjes së ndërtesës, ai nuk është përfshirë në skemën e dëmshpërblimit në formën e shpronësimit publik.
Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Pogradecit ka arritur të faktojë se godina në pronësi të kallëzuesit ka qenë e pajisur me lejen e ndërtimit nga organet kompetente. Po ashtu, ditën e ndërhyrjes së inspektorëve të IKMT për prishjen e godinës, në dt. 20.09.2014, pronarit të ligjshëm të saj nuk i është vënë në dispozicion asnjë akt administrativ përkatës. Një akt i tillë për prishjen e godinës së shtetasit M.C., nuk gjendet as në arkivin dhe protokollin e IKMT-së në Tiranë.
Në bazë të dokumentacionit zyrtar, të vendosur në dispozicion nga kallëzuesi në funksion të hetimit, rezulton se godina e prishur në mënyrë të paligjshme ka vlerën e rreth 60 milionë lekëve. Për efekte të biznesit, pronari i ligjshëm ka vendosur kolateral këtë ndërtesë për marrjen e një kredie në vlerë e mbi 18 milionë lekëve.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Pogradecit arrin në përfundimin se dy zyrtarët e lartë të IKMT-së kanë konsumuar elementët e veprës penale të ’Shpërdorimit të detyrës”.
Top Channel