Shembja e një mbikalimi në ndërtim në qytetin lindor indian të Kalkutës i ka marrë jetën të paktën 14 personave e ka plagosur shumë të tjerë.
Një numër i madh njerëzish kanë mbetur të bllokuar nën blloqet e betonit e çelikut të urës së rrëzuar mbi një rrugë mjaft të frekuentuar kalimi. Nuk ka ende një bilanc zyrtar të viktimave, por sipas dëshmitarëve okularë, mund të kenë qenë rreth 150 persona poshtë mbikalimit në momentin e shembjes, një pjesë me makinë, të tjerë duke udhëtuar me autobusë apo motoçikleta.
Zona e rrëzimit, Bara Bazar, është një prej më të populluarave në mbarë Kalkutën. Arsyet e incidentit nuk janë zbardhur ende, por problemet e sigurisë, mungesa e kontrolleve dhe materialet nën standard i shoqërojnë prej kohësh projektet e ndërtimit në Indi.
Puna për mbikalimin 2 kilometra të gjatë ka nisur në vitin 2009, por përfundimi i tij i ka kapërcyer disa herë afatet.
Top Channel