Turqia duhet të plotësojë të gjitha kriteret e vendosura prej Bashkimit Europian nëse dëshiron që marrëveshja e vizave të hyjë në fuqi, ishte mesazhi i kancelares Angela Merkel për Ankaranë.
Afati i 1 korrikut, sipas saj, mund të shtyhet për shkak të mosmarrëveshjeve mbi ligjet turke të anti-terrorizmit.
“Ka shumë gjasë që kjo datë të mos respektohet për shkak se kushtet nuk janë përmbushur ende”, tha Merkel pas takimit me presidentin Rexhep Tajip Erdoan në Stamboll.
Përpjekja e Turqisë për afrim me bllokun europian po zë vend të rëndësishëm edhe në debatin e referendumit britanik.
Kryeministri David Cameron i lëkundi më herët shpresat e miliona turqve me deklaratën se qeveria e tij e ka në dorë t’ia bllokojë vendit anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në kontrast të thellë me qëndrimin e vet të mëparshëm, Cameron tha se Turqisë do t’i duhet të presë 1.000 vjet që të bëhet pjesë e bllokut.
Të dyja këto zhvillime vijnë disa ditë pasi ministrat e Brendshëm të Unionit hodhën idenë e atyre që i përshkruajnë si “frena emergjence” për programin e udhëtimit pa viza të disa vendeve.
Klauzola mbrojtëse, siç e quajnë zyrtarët në Bruksel, synon të qetësojë ato shtete të bllokut të shqetësuara nga fakti se qytetarët e Turqisë, Ukrainës, Gjeorgjisë e Kosovës do të jenë shumë shpejt në gjendje të lëvizin lirisht nëpër zonen Schengen.
Ajo nënkupton se qasja mund të pezullohet nëse do të ketë abuzime, siç është për shembull numri i madh i njerëzve që tejkalojnë afatin 90-ditor të qëndrimit.
“Liria e vizave ka shumë avantazhe si për vendet anëtare të Bashkimit Europian, ashtu dhe për shtetet, të cilave nuk i nevojiten më viza afatshkurtra. Por ne kemi thënë gjithashtu se nuk do të lejojmë që liria e vizave për pushuesit dhe personat që udhëtojnë për çështje biznesi të çojë drejt abuzimeve të mëdha”, deklaroi Klaas Dijkhoff, ministër i Emigrancionit në Holandë.
Propozimi, i mbështetur nga Komisioni Europian, duhet të negociohet nga ligjvënësit në Parlamentin e Unionit. Turqia e kërkoi udhëtimin e lirë drejt BE-së në këmbim të marrjes së emigrantëve që kanë vërshuar në Greqi.
Top Channel