Tre të rinj kanë shfrytëzuar postblloqet e ngritura ditët e fundit në Tiranë, për t’u prezantuar si punonjës policie te qytetarët e për t’i grabitur.
“Ndal, policia! Ka ndodhur një vrasje në Tiranë dhe po kryejmë kontrolle”. Kjo ka qenë fraza e thënë prej Shaban dhe Halil Topallit, 22 dhe 33 vjeç respektivisht, të cilët tashmë janë arrestuar për vjedhje në bashkëpunim, banues në fshatin Tapizë të Krujës, e që njihen për precedentët e mëparshëm në fushën e vjedhjeve.
Ndërkohë është në kërkim edhe një tjetër person që ndodhej me ta, në postbllokun e rremë të ngritur nga hajdutët. Ngjarja e fundit ka ndodhur të shtunën, kur të rinjtë, të arrestuar tashmë nga policia pranë Institutit, duke u paraqitur si agjentë krimesh kanë kërkuar të kryejnë kontroll automjetesh, me arsyetimin se kishte ndodhur një krim në kryeqytet dhe po kërkoheshin autorët.
Pasi kanë kontrolluar makinat, ata u kanë kërkuar lekët drejtuesve të mjeteve, duke iu shpjeguar se “i kërkon shefi”. Pas kësaj, dy qytetarë kanë depozituar menjëherë kallëzime. Njëri prej denoncuesve kishte mbajtur shënim edhe makinën civile, tip Ford, me targat AA 551 LI, me të cilën grabitësit kishin improvizuar postbllokun.
Sipas policisë, përmes kësaj të dhëne është kryer edhe identifikimi i dy “policëve” të rremë, në banesën e njërit prej të cilëve u gjet pas kontrolleve edhe një jelek. Ata u arrestuan për veprat “vjedhje të kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa të drejtë e uniformës”.
Top Channel