Kishën e kap kriza, ortodoksët: Duam pronat tona

16/03/2016 20:00

Qeverisë Shqiptare do t’i duhet të përballet përsëri me një problem të vjetër dhe ende të pazgjidhur, atë të kthimit të pronave të Kishës Ortodokse.

Në takimin vjetor të Asamblesë Kleriko-Laike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ku ishin rreth 300 pjesëmarrës, është ngritur shqetësimi për moskthimin e pronave të kësaj kishe.

Asambleja ka dalë me një deklaratë, përmes të cilës proteston ndaj organeve shtetërore, për të cilat thuhet se “mbajnë ende në zotërim vendet dhe objektet e shenjta pas 25 vitesh demokraci në vend, si dhe japin leje që përdhosin të shenjtat dhe të hirshmet e Kishës Ortodokse”.

“Kërkojmë që më në fund të zbatohet ligji 10057, neni 22/2, datë 22.1.2009, “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”. Duhet t’i kthehen Kishës Ortodokse, pa vonesë dhe pretekste, të gjitha kishat e shenjta, manastiret, lipsanet e shenjta, ikonat dhe objektet e shenjta të adhurimit, të cilat respektohen, nderohen dhe janë të shenjta për të gjithë ortodoksët anembanë botës dhe sigurisht edhe për besimtarët e Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.

Kjo asamble ka shprehur edhe një tjetër shqetësim që lidhet me fotografitë që tregojnë vajza të reja, teksa reklamojnë fustane nusërie sipër fronit dhespotik në kishat historike ortodokse të Beratit dhe Elbasanit. Këto cilësohen si një ofendim i madh ndaj Kishës Ortodokse dhe si një sakrilegj i dukshëm dhe fyerje e ndjenjës fetare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA