Erdoan: Terrorizmi do të gjunjëzohet

14/03/2016 08:05

Pas shpërthimit të fuqishëm në Ankara, që mori 36 jetë njerëzish e plagosi mbi 100 të tjerë, Recep Tayyip Erdogan premtoi se terrorizmi do të gjunjëzohet.

Grupet e terrorit, – sipas Presidentit turk, – godasin civilët sepse po humbasin luftën me forcat e sigurisë. Duke bërë thirrje për unitet kombëtar, ai deklaroi se Turqia do ta ushtrojë të drejtën e saj për vetëmbrojtje, me qëllimin që të parandalohen sulme të ngjashme në të ardhmen.

“Populli nuk duhet të shqetësohet, sepse lufta kundër terrorizmit do të ketë me siguri një fund të suksesshëm. Sulmet terroriste, që duan të dëmtojnë integritetin e Turqisë dhe solidaritetin tonë, nuk na e zvogëlojnë vullnetin për t’i luftuar këto forca. Përkundrazi do të na e shtojnë edhe më shumë”, tha Erdogan.

Ministri i Brendshëm Efkan Ala pohoi se, rezultatet e hetimit të ngjarjes do të bëhen publike këtë të hënë, së bashku me emrat e personave përgjegjës. Shënjestra e sulmit, që bart ngjashmëri të mëdha me atë të mesit të shkurtit, kur vdiqën 28 vetë, ishte parku Guven, një nyje e rëndësishme transporti.

Edhe pse askush nuk e ka marrë deri më tani përgjegjësinë e shpërthimit, zyrtarët e lartë të ekzekutivit hodhën menjëherë dyshime se, pas episodit të dhunës qëndron Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Rebelët kurdë kanë ndërmarrë një sërë sulmesh në tokën turke, që prej fundit të armëpushimit vitin e kaluar, por Ankaranë, këto kohë e ka shënjestruar nga ana tjetër edhe Shteti Islamik.

Top Channel