Tragjedia e “Germanwings”, më shumë kontrolle për pilotët

13/03/2016 00:00

Fuqizim të kontrolleve mjekësore dhe psikologjike për pilotët, prani të dyfishtë në çdo moment brenda kabinës së pilotimit dhe rregulla më pak shtrënguese për privatësinë e të dhënave mjekësore në rast rreziku për sigurinë publike.

Këto janë rekomandimet kryesore të raportit përfundimtar të hetuesve francezë lidhur me tragjedinë që më 24 mars të 2015-s përfishiu avionin e “Germanwings”, i rrëzuar qëllimisht nga ndihmëspiloti Andreas Lubitz me 150 persona në bord.

Pjesëtarët e komisionit hetimor të Aviacionit Civil Francez konfirmuan se ngjarja kishte ndodhur për shkak të qëllimeve vetëvrasëse të Lubitz. Siç thuhet në raport, dy javë para tragjedisë një mjek i kishte rekomanduar ndihmëspilotit të shtrohej në një spital psikiatrik.

28-vjeçari kishte shfaqur simptoma manjako-depresive dhe brenda disa muajve ishte konsultuar me 41 mjekë specialistë, kryesisht për probleme me shikimin. Por, autoriteti i Aviacionit Civil apo “Germanwings”, shoqëria “low cost” e “Lufthansa”, nuk u vu në dijeni.

Raporti kërkon që pilotët t’ju nënshtrohen kontrolleve më të rrepta mjekësore dhe rekomandon analiza të rregullta për të verifikuar probleme të mundshme psikologjike.

Por, gjithsesi, ai nuk sugjeron ndonjë ndryshim në rregullat e kabinës. Lubitz arriti të mbyllej brenda kabinës duke lënë jashtë pilotin në momentin që rrëzoi avionin. Ai përfitoi nga një sistem i krijuar për të penguar pengmarrjen e avionit nga agresorë të mundshëm brenda mjetit fluturues.

Top Channel