Libi, qeveria e unitetit me seli në Tunis “merr” pushtetin

13/03/2016 00:00

Këshilli presidencial i Libisë, i cili ka me vete edhe mbështetjen e Kombeve të Bashkuara dhe për seli ka kryeqytetin Tunis, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos merret më me rivalët për pushtet në Libi.

Ai nominoi një qeveri uniteti gjatë muajit të kaluar, por betimi i kabinetit është shtyrë. Libia ka dy qeveri konkurrente të njëra-tjetrës që prej 2014-s, pas rënies së kolonelit Muammar Gaddafi në vitin 2011.

Dhoma lindore e Përfaqësuesve (HOR), me seli në Tobruk, dështoi të votonte në miratimin e qeverisë së unitetit.

Këshilli njoftoi përmes një deklarate të së shtunës se, një dokument i nënshkruar nga shumica e anëtarëve të HOR-it, që mbështet qeverinë e re, ashtu sikurse dhe miratimi nga Grupi i Dialogut Politik përfaqësojnë “dritën jeshile” për të nisur punën.

Gjithsesi, të enjten, një deklaratë e Grupit të Dialogut Politik të Libisë, i përbërë nga anëtarë të shquar të politikës libiane dhe disa deputetë të dy parlamenteve rivale të vendit, duket se nuk ia hap rrugën këtij zhvillimi të ri. Deklarata bënte thirrje për votim sa më të shpejtë në Parlament për qeverinë e propozuar.

Këshilli Presidencial, nga ana e tij, ka detyrën e organizimit të tranzicionit të pushteteve për t’i dhënë fund kaosit politik dhe konfliktit të armatosur, që kanë triumfuar në Libi që prej rënies së Gaddafit.

Top Channel