Janë rreth 1.700 dhe jo 22 mijë, siç thuhej më parë, skedat e personave të dyshuar si anëtarë të Shtetit Islamik, që ndodhen në dosjet e publikuara nga një dezertor i organizatës xhihadiste dhe të publikuara nga mediat perëndimore e ato arabe.
Siç raporton faqja siriane e opozitës, Zaman al Wasl, nga 22 mijë skeda që janë në total shumë prej tyre janë duplikime ose përmbajnë informacione të paplota.
Ndërsa materialet e duhura për të gjurmuar gjeneralitetet e anëtarëve të ISIS janë 1.736.
Ndërkohë, një komandant i lartë i Shtetit Islamik mund t’i ketë shpëtuar bombardimit të fundit të aviacionit amerikan në veri-lindje të Sirisë, kanë deklaruar zyrtarë të Pentagonit në Irak.
Omar Shishani, një gjeorgjian emri i vërtetë i të cilit është Tarkhan Batirashvili, mund të jetë larguar nga vendi i bombarduar, ka deklaruar një zëdhënës amerikan.
Sipas zëdhënësit, vetëm 12 nga 13 personat që ishin në shënjestër të sulmit janë konfirmuar të vdekur. Ndërsa nga ISIS deri tani nuk ka pasur një koment lidhur me fatin e Shishanit.
Vitin e kaluar, SHBA ofruan 5 milionë dollarë shpërblim mbi Shishanin, i cili ka mbajtur poste kyçe në radhët e organizatës, përfshirë atë të Ministrit të Luftës.
Top Channel