5 vjet nga Fukushima, Japonia përkujton tragjedinë

11/03/2016 08:50

Japonia është ndalur për të kujtuar viktimat e tragjedisë së trefishtë që goditi vendin pikërisht pezsë vite më parë, më 11 mars 2011.

Tërmeti i Fukushimës, i pasuar nga tsunami e më pas nga katastrofa bërthamore që u kushtoi jetën të paktën 20 mijë personave.

Gjatë ceremonisë në Teatrin Kombëtar të Tokios, ku morrën pjesë dhe perandori Akihito me bashkëshorten Michiko, bashkë me kryeministrin Shinzo Abe, është mbajtur një minutë heshtje.

Pasojat e tragjedisë janë ende sot të pashëruar. Në një distancë prej 20 kilometrash katrorë nga centrali bërthamor, gjithçka është e shkretë.

Qytete pa njerëz, shtëpi të dëmtuara nga valët gjigante të dallgëve dhe rrugë të boshatisura.

Tërmeti pasoi tsunamin, tsunami pasoi dëmtimin e sistemeve të ftohjes në një nga centralet bërthamore më të mëdhenj të Japonisë.

Prishja e këtyre sistemeve shkaktoi rrjedhjen e lëndëve radioaktive në ujëra dhe tokën përreth dhe brenda një kohe të shkurtër ushqimet u bënë të rrezikshme, uji i pakonsumueshëm dhe toka e kontaminuar.

Pesë vjet pas tragjedisë, një pjesë e madhe e atyre që dikur popullonin rajonin e Fukushimës, jetojnë ende në kapanone dhe druhen se nuk do të kthehen më kurrë në shtëpitë e tyre.

Aktualisht, qeveria japoneze është ende në fazën e pastrimit dhe studimit të kushteve të ujit dhe tokës. Mijëra tonë tokë e kontaminuar është grumbulluar nëpër thasë plastikë për t’iu nënshtruar procesit të asgjësimit të lëndëve radioaktive që bart.

Pak kohë më parë banorëve të Fukushimas iu lejua që të vizitojnë banesat e tyre, por nuk u lejohet që të qëndrojnë më shumë se 5 orë për shkak të rrezikut që i kanoset nga radioaktiviteti.

Top Channel