Trazira janë verifikuar në Turqi, pasi policia ka bastisur me forcë zyrat e gazetës opozitare “Zaman”, disa orë pasi gjykata vendosi konfiskimin e aseteve të saj dhe marrjen nën kontroll nga shteti.
Vendimi, për të cilin nuk u dha asnjë shpjegim, bëri që qindra mbështetës të “Zaman” të mblidheshin jashtë zyrave të saj për të protestuar.
Një prej manifestuesve mbante në duar një parullë ku thuhej: “Ne do të luftojmë për një shtyp të lirë”. Policia nga ana e saj përdori topa uji dhe gaz lotësjellës për të shpërndarë protestuesit.
Ndërsa gazetari i “Zaman”, Emre Soncan shkroi në Twitter: “Qeveria e Turqisë konfiskoi një nga zërat e fundit kritikë, “Zaman”… Fundi i demokracisë”.
Në të njëjtat linja, kolegu i tij Abdullah Ayasun u shpreh: “Një ushtri policësh të armatosur bastisën gazetën dhe mua më nxorrën jashtë”.
Departamenti amerikan i Shtetit e cilësoi bastisjen e policisë si “aktin e fundit të një seri aksionesh ligjore kundër medias të marra nga qeveria turke”.
Lëvizja e autoriteteve të Ankarasë zyrtare kundër “Zaman” vjen disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Turqisë liroi nga burgu dy gazetarë, të akuzuar për zbulim sekretesh shtetërore.
Top Channel