“Lumi” i njerëzve nuk ndalet, “Frontex”: Këtë vit, mbi një milion

25/02/2016 15:45

Një milion emigrantë të tjerë do të vijnë këtë vit, paralajmëron kreu i agjencisë për mbrojtjen e kufijve të BE-së, “Frontex”, Fabrice Leggeri.

Është e pamundur të ndalosh këtë lum njerëzish, kur vetëm nga janari i këtij viti, numri i të ardhurve është 110 mijë. Eksperienca tregon qartë se, barrierat e telave me gjemba apo patrullimet në det nuk e ndalojnë fluksin e refugjatëve, shtoi ai.

Për Leggerin, kështu siç paraqitet situata tani, do të ishte arritje e madhe nëse numri i emigrantëve do të stabilizohej, krahasuar me 2015-n. Por gjendja në Siri ka ardhur në përkeqësim, e kjo do të rezultojë në një milion refugjatë të tjerë, argumenton shefi i “Frontex”-it.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian druhen se, dhjetëra mijëra refugjatët e përballur me masa shtrënguese në vendet e rrugës së ndjekur deri më tani, do të tentojnë mbërritjen në Europë përmes Rumanisë, Ukrainës e Polonisë.

Më herët, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk paralajmëroi se dështimi i përpjekjeve me progres drejt zgjidhjes së krizës, mund të rrisë gjasat që Britania e Madhe të votojë për largimin e saj nga blloku europian.

Top Channel