“Gjermania e errët”, shtohet frikshëm dhuna ndaj emigrantëve

23/02/2016 14:50

Pamjet e autobusit të bllokuar me refugjatë javën e kaluar në Klausnitc, për korrespondenten e BBC-së në Berlin, Jenny Hill janë një fraksion imazhi i së ashtuquajturës “Gjermania e Errët”.

Rrallë ndodh që ngjarje të tilla të përjetësohen në një filmim. Fytyrat e refugjatëve të tmerruar në mjetin e rrethuar prej turmës që ulëret shkaktuan indinjatë, po aq sa dhe duartrokitjet e brohorimat e njerëzve që i gëzoheshin djegies së një qendre për refugjatët në qytetin fqinj Bautcen.

Ministri gjerman i Drejtësisë, Heiko Mass foli në emër të shumë gjermanëve kur i përshkroi të dyja ngjarjet si “të neveriteshme”.

Por e vërteta është se sulmet ndaj qendrave të azilit atje po rriten me ritëm shqetësues. Statistikat qeveritare tregojnë se vitin e kaluar pati rreth 1.000 të tilla, 5 herë më shumë se në 2014-n.

Pak javë më parë, një granatë dore u hodh përpara hyrjes së një strehe të tillë. Siguresa ishte hequr, por granata fatmirësisht nuk shpërtheu.

Ngjarjet në Klausnitc dhe Bautcen i dhanë jetë zërave që pyesin: a mos vallë Saksonia është landi më agresiv me të huajt? Shumica e akteve të dhunës ndaj refugjatëve janë regjistruar në ish-Gjermaninë Lindore.

Disa akuzojnë pushtetin lokal se ka mbyllur njërin sy përballë racizmit dhe ekstremizmit të djathtë; të tjerë i kërkojnë rrënjët e fenomenit tek historia e kësaj pjese të vendit, që ka sipas tyre një demokraci më pak të stabilizuar; ndërsa grupi i tretë përmbledh ata që besojnë se mungesa e tolerancës ndaj refugjatëve në saksoni i detyrohet faktit që kjo zonë ka popullësinë më pak të përzjerë etnikisht.

Top Channel