Ashtu siç ndodh gjithmonë, në fund të çdo viti vlerësohen personalitetet sportive që kanë spikatur më shumë me rezultatet e tyre. Në Shqipëri një ceremoni të tillë e organizoi Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, që dha çmime për sportistët më të mirë në 10 disiplina të ndryshme.
Në atë që cilësohet mbretëresha e sporteve, atletikë, çmimi i sportistes më të mirë iu dha Luiza Gegës, që fitoi në garën e 1500 m në Evropianin e Bakut. Në përfundim të ceremonisë, Gega bëri të ditur planet dhe synimet e saj për vitin 2016, ku ajo do të kërkojë të fitojë medalje në Botërorin e Portlandit, ndërkohë që do të dëshirojë që të jetë edhe mes më të mirëve edhe në Lojërat Olimpike.
Në të njëjtën kohë ajo bëri edhe një apel autoriteteve për një financim më të mirë në mënyrë që ajo të arrijë këto objektiva.
Çmime të tjera në këtë mbrëmje gala të organizuar nga KOKSH-i u dhanë edhe për Sabien Lilajn e Skënderbeut, i cili u shpall më i miri përsa i përket futbollit, ndërkohë që në volejboll ai që fitoi çmimin e më të mirit ishte lojtari i Vllaznisë, Anton Qafarena. Në peshëngritje, më i miri u shpall Briken Calja, ndërkohë që u nderuan edhe notari Nikol Merizaj, boksieri Arjon Kalozhi dhe çiklisti Redi Halilaj.
Çmime u dhanë edhe për sportistët e tekvondosë dhe xhudos, Erges Aliu dhe Jon Grenozi. Në këtë ngjarje me më të mirët e këtij viti u rezervua edhe një çmim, ai i “Fair Play”-t, që iu dha basketbollistit të Tiranës Red Vogli.
Top Channel