Nigeri, dhjetëra viktima nga një shpërthim gazi

25/12/2015 00:00

Një shpërthim i fuqishëm në një depo gazi butan në juglindje të Nigerisë shkaktoi vdekjen e dhjetëra personave. Kështu deklaroi Presidenti i vendit Muhamadu Buhari pa saktësuar bilancin makabër, ndërsa mediat lokale thonë se bëhet fjalë për të paktën 100 viktima.

Sipas autoriteteve nigeriane, zjarri i shkaktuar nga shpërthimi i gazit vazhdoi për orë të tëra derisa u fik nga forcat zjarrfikëse. Dëshmitarë okularë thanë se trupat e punonjësve të depos në qytetin Nevi dhe të klientëve që gjendeshin aty ishin djegur kaq keq saqë nuk njiheshin.

Mësohet se shumë njerëz kishin shkuar të furnizoheshin me gaz në depo për të gatuar për ditën e Krishtlindjeve. Ky qytet është kryesisht i banuar nga të krishterë. Të plagosurit e shumtë nga shpërthimi u dërguan në qendrën spitalore universitare të zonës.

Shpërthimi i fuqishëm dëmtoi rëndë shtëpitë dhe banesat në zonën rreth depos së gazit. Dëshmitarë të ngjarjes thanë se shpërthimi ndodhi kur një autobot nisi të zbrazë gazin që kishte sjellë aty pa respektuar procedurat e sigurisë.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur zyrtarisht shkakun e shpërthimit, megjithëse zyrtarë lokalë thanë se duket e qartë që bëhet fjalë për një gabim njerëzor.

Top Channel