Mijëra të krishterë anembanë botës u grumbulluan në qytetin e Betlehemit në Bregun Perëndimor për të festuar lindjen e Krishtit në vendin ku ata besojnë se ka ndodhur, 2 mijë vjet më parë.
Dhuna e kohëve të fundit ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve duket se ka lënë disi në hije këtë vit Krishtlindjen. “Ka drita, ka këngë, por duket se tensioni është mbizotërues”, tha një pelegrin për agjencinë e lajmeve “Associated Press”.
Betlehemi është kthyer në skenë përleshjesh të dhunshme në fund të vitit që po lëmë pas. Që prej tetorit janë vrarë 129 palestinezë dhe 19 izraelitë, si dhe një amerikan dhe një person nga Eritrea. Katër persona u vranë vetëm gjatë së enjtes. Në Bregun Perëndimor u vranë 3 persona, ndërsa një tjetër u qëllua nga forcat izraelite të sigurisë gjatë përleshjeve.
Pavarësisht rreziqeve me të cilat ata mund të përballeshin gjatë rrugës, një numër jo i vogël pelegrinësh mbërritën në Betlehem. “Është e rëndësishme të mbërrish këtu, për të reaguar dhe për të dërguar një mesazh paqeje për Krishtlindje”, tha një murgeshë italiane. Mesha e përkujtimit të lindjes së Krishtit iu dedikua viktimave të dhunës dhe familjeve të tyre.
Në predikimin e Meshës së Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesk dënoi materializmin dhe bëri thirrje për mëshirë dhe keqardhje. Ai bëri thirrje për më shumë seriozitet në një botë të fiksuar nga konsumi, pasuria dhe shpenzimet e tepruara.
“T’i jepet fund indiferencës, nevojitet mëshirë dhe keqardhje. Mënyra jonë e jetesës është e mbushur me dhembshuri dhe mëshirë. Ky fëmijë na thërret për të vepruar me urtësi, me fjalë të tjera, në një mënyrë më të thjesht, të balancuar, të qëndrueshme, të aftë për të parë dhe për të bërë atë që është thelbësore. Në një botë, e cila shumë shpesh është e pamëshirshme ndaj mëkatarit dhe e butë për mëkatin, duhet të kultivojmë një ndjenjë të fortë të drejtësisë, për të dalluar dhe për të bërë vullnetin e Perëndisë”, tha Papa Françesk.
Në Vatikan pati një shtim të sigurisë. Policia kreu kontrolle të imtësishme në zonat përreth Vatikanit. Kushdo që shkoi në bazilikë, kishën më të madhe të Krishterimit, kaloi nëpër detektorë.
Edhe në Irak, në një situatë të zymtë, me komunitetin e krishterë të pakësuar, nuk pati festime të mëdha. “Ne lutemi për paqe dhe rikthimin e sigurisë”, tha një e krishtere në një kishë në Bagdad.
Në Somali, qeveria ka ndaluar festimet e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri në një vend me shumicë myslimane, duke thënë se gjatë festimeve mund të ketë sulme terroriste.
E njëjta gjë ka ndodhur në Brunein e pasur me naftë, ku autoritetet kanë kërcënuar se do të dënohen deri në 5 vite burg ata që do të festojnë me mënyra të tepruara Krishtlindjen.
Po ashtu edhe në Filipine, mbizotëron kaosi. Të paktën 7 femra të krishtera u vranë pas një serie sulmesh nga myslimanët.
Ndërkohë, Ambasada amerikane dhe ajo britanike në Kinë lëshuan një paralajmërim të pazakontë në lidhje me kërcënimet të mundshme ndaj perëndimorëve në një zonë mjaft të populluar në Pekin përpara festimeve të Krishtlindjes.
Ndërsa në Francë pati një shtim të ndjeshëm të sigurisë, pas sulmeve të muajit të kaluar në Paris, që lanë më shumë se 130 të vdekur.
Top Channel