Kinë, burg manjatit të mediave

24/12/2015 11:30

Një gjykatë në Shangai ka burgosur presidentin e vjetër të një prej grupeve më të mëdha mediatike për korrupsion.

Shen Hao, që dikur drejtonte gazetat financiare dhe portalet e internetit të grupit “21st Century”, u dënua gjithashtu për zhvatje dhe shantazh. Ai u ndëshkua me 4 vjet burg dhe 60 mijë jen gjobë, ose 9.500 dollarë amerikanë.

Qeveria kineze ka ndërmarrë në vitet e fundit një aksion në shkallë të gjerë për të frenuar korrupsionin, përfshirë atë në mediat dhe industritë financiare.

Në një deklaratë të publikuar në mikroblogun e gjykatës së Shangait thuhet se, “Shen Hao kishte kryer veprat kriminale të zhvatjes, transaksioneve ilegale, përvetësimit dhe vetëshpërblimit”.

Bashkë me të u dënua edhe një funksionar i lartë i grupit, por me një dënim më të reduktuar prej 2 vjetësh.

Shumë gazetarë dhe drejtues të grupit “21st Century” janë arrestuar dhe akuzuar se kanë kërkuar pagesa nga biznese të ndryshme në këmbim të shërbimeve mediatike në favor të tyre, ndërsa kanë sulmuar ato kompani që kanë refuzuar të paguajnë.

Praktika e pagimit të mediave për kronika të favorshme për bizneset konsiderohet shumë e përhapur në Kinë.

Top Channel