Ashtu siç pritej, tentativa e radhës e qeverisë për të dhënë me koncension mirëmbajtjen e aksit Milot-Morinë në Rrugën e Kombit ka dështuar. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi që ofertat e paraqitura nga kompanitë pjesëmarrëse në garë nuk përbëjnë interes publik duke qenë se janë dy herë më të larta se pritshmëria e qeverisë.
“Kompania kineze kishte ofruar rreth 10.4 milionë euro subvencione për 11 vite, kurse konsorciumi i kryesuar nga kompania turke rreth 12.3 milinonë euro. Tarifa ishte e përcaktuar nga qeveria paraprakisht dhe është ajo që kemi treguar edhe më parë e që është 5 euro. Bazuar mbi sugjerimin e IFC-së, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi që t’i refuzojë këto oferta duke i trajtuar si të pavlefshme dhe të anulojë procedurën e shpallur”, deklaroi Eduart Seitaj, sekretar i përgjithshëm i MTI-së.
Ministria e Transporteve thotë se aktualisht po vlerëson nëse do të rishpallë të njëjtin projekt apo do të gjejë modele të reja për të tërhequr investime private në një prej veprave më të rëndësishme të infrastrukturës në vend.
Gjatë kësaj kohe, Autoriteti Rrugor Shtetëror duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mirëmbajtjen e veprës. Qeveria tentoi edhe në të kaluarën të japë me koncension mirëmbjatjen e kësaj rruge tek privatët por ka dështuar.
Në tenderin e fundit dorëzuan ofertat dy kompani, grupi kinez i quajtur “China Construction”, ndërsa oferta e dytë i përkiste një konsorciumi mes “Vendeka Bilgi” dhe kompanisë “Salillari”.
Top Channel