Ilir Yzeiri – Nuk ka asnjë lidhje mes darkës së Ramës me gazetaret femra dhe vdekjes së vogëlushes njëmuajshe rome nga i ftohti në këmbët e urës së Dajlanit.
Madje nuk ka asnjë lidhje as me darkën e tij me mësueset e dalluara që kërcenin të lumtura në një sallë të madhe. Aq më tepër me ballon e Presidentit kjo vdekje nuk kishte asnjë lidhje. Në të tria rastet ishte një rastësi që, ndërsa gazetaret e lumtura të Edi Ramës pinin verë në Kryeministri, vogëlushja rome mbështjellë nga krahët e ndytë të së ëmës jepte shpirt poshtë këmbëve të urës së Dajlanit. Ishte gjithashtu rastësi që nuk prekte askënd edhe parada e veshjeve të shtrenjta në Ballon e Presidentit me frymën e fundit të asaj vogëlusheje që jepte shpirt prej të ftohtit poshtë urës së Dajlanit. Janë disa rastësi fatale që mblidhen në fund të vitit, në prag Krishtlindjesh. Krejt rastësisht më mbërriti një njoftim nga shoqata e ruajtjes së pyjeve se në Pukë, Mirditë e në pyjet e asaj zone ka filluar masakra në muajt nëntor e dhjetor për të shfrytëzuar kohën e artë para se të nisë zbatimi i moratoriumit që ndalon prerjen e drurëve pyjorë dhe gjuetinë e kafshëve të egra aty. Në gjithë këto rastësi, grahmat e fundit të vogëlushes rome që vdiq në këmbët e urës së Dajlanit në mes të të ftohtit, në krahët e ndytë të së ëmës, në mes të natës, janë më së shumti shenja e kohës që jetojmë dhe ajo vdekje nuk mund të kuptohet pa ballot e Kryeministrit tonë dhe pa mbrëmjet Gala të Presidentit. E thashë edhe më lart që midis tyre nuk ka asnjë lidhje dhe Edi Rama apo Bujar Nishani janë përgjegjës për atë vdekje po aq sa jam edhe unë. Ajo vdekje është ndëshkimi më i lehtë për një shoqëri kanibale si kjo e jona që ka instaluar kapitalizmin e egër e kriminal që e ka ndarë Shqipërinë në të varfër e në të pasur, në banditë e të përunjur, që e ka kthyer këtë vend në një tokë të shkretë ku nuk jeton asnjë ideal, ku idiotët(jo Kryeministri ynë siç thoshte Elvira Dones), gomarët, hipokritët, mediokrit dhe gjithfarë maskarenjsh e kanë pushtuar këtë vend duke shkallmuar institucionet e humanizmit.
Në të gjithë botën ka njerëz që banojnë jashtë, në rrugë. Madje, Papa Françesku disa kohë më parë i ftoi disa prej tyre deri edhe në Vatikan dhe u dha një vakt bukë e u mundësoi të bënin edhe një banjë me ujë të ngrohtë. Ndryshimi midis shoqërive njerëzore që kanë në themel dashurinë dhe kujdesin për njeriun dhe shoqërive të egra si kjo e jona, të mbushura me banditë që ulërijnë nga mëngjesi në darkë se kush e çliroi këtë vend nga komunistët dhe kush e pushtoi me kriminelë, se kush e solli demokracinë dhe kush e instaloi demokraturën, krimin dhe vjedhjen, është se këto shoqëri janë të ndjeshme ndaj atyre që nuk kanë dhe që janë të pazotë për të ndërtuar mirëqenie. Tani, në prag Krishtlindjesh, këto shoqëri kthejnë vëmendjen tek institucionet e bamirësisë, të vullnetarëve që ndihmojnë të pastrehët, ata që flenë në rrugë, që i ushqejnë dhe u japin veshmbathje atyre. Ne mburremi se jemi vend i tri besimeve, por ne jemi vendi që kemi ndarjen më të thellë shoqërore, ne jemi racistë ndaj atyre që nuk kanë dhe që kanë ngjyrë të ndryshme nga e jona. Kush më thotë ku janë mensat ose fjetoret falas për njerëzit në nevojë që kanë ngritur kishat ose xhamitë në Shqipëri. Kisha Katolike shqiptare do të mbahet mend, sepse varrosi amanetin e Nënë Terezës për të ndërtuar spitalin me emrin e saj që ajo vetë e dëshironte dhe pasi mori 100 mijë m2 tokë me vetëm 1000 euro bëri aty një universitet privat, por jo spitalin e premtuar. Kisha Ortodokse mbahet mend vetëm për betejat politike me të gjithë për sa kohë që ka shkelur autoqefalinë e Nolit dhe xhamitë shqiptare tani së fundi po dallohen për thirrjet që të rekrutojnë të rinj për xhihad. Ndaj edhe vogëlushja rome dhe mamaja e saj që ikën nga Berati dhe endeshin rrugëve u detyruan të kalojnë natën në këmbët e urës së Dajlanit dhe aty vogëlushja të vdiste prej të ftohtit. Po të kishte institucione të tilla të bamirësisë ndërtuar prej institucioneve fetare, ajo do ta kishte kaluar natën atje. Po të kishte institucione shtetërore bamirësie ajo do të ishte drejtuar atje për të dorëzuar fëmijën e saj rom. Por ajo, ashtu si një nga ata qeniet pa asnjë vlerë që ne i shajmë dhe i godasim me shqelm rrugëve, fshihej ditën me foshnjën në krah dhe natën e kalonte te këmbët e urës së Dajlanit. Ajo bashkë me fëmijën e saj ndiheshin më keq se në Siri ku bombat nga qielli dhe plumbat nga toka të detyrojnë të ikësh nga sytë këmbët. Ajo nënë e mjerë që endej rrugëve me foshnjën njëmuajshe në krah, nuk tërhoqi vëmendjen e askujt dhe nuk kishte kulturën që në një rast të tillë t’i drejtohej një dere e të trokiste në mënyrë që të ngrohej e të ushqehej. Ajo endej rrugëve në një botë që e shihte sikur donte ta vriste dhe nën peshën e kësaj ndjekjeje sysh që e dhunonin me shpërfillje, ajo gjente ngushëllim natën te këmbët e urës së Dajlanit, kur mizëria e kafshëve-njerëz që popullojnë këtë vend futeshin në shtëpi dhe vështrimet e tyre nuk drejtoheshin më mbi të si mbi një lebroze. Në një nga këto net edhe Kryeministri ynë pinte verë e hante darkë me gazetaret që sillen femra. Atje te Ura e Dajlanit vogëlushja rome jepte shpirt dhe për këtë nuk ka faj Kryeministri Edi Rama. Ishte thjesht një rastësi që atë natë ai jepte një ballo ose një darkë me gazetaret femra. Ndërsa komedia më e madhe është se që të gjithë janë ngazëllyer me nisjen e shenjtërimit të Nënë Terezës. Edhe Kryeministri ynë u ngazëllye nga ky lajm. Mirëpo Nënë Tereza nuk ka të bëjë me këtë vend dhe me këta shqiptarë që popullojnë sot Shqipërinë. Ne e përkujtuam veprën e Nënë Terezës me një kurban. I bëmë fli asaj një vogëlushe rome njëmuajshe. Ajo ngriu nga të ftohtit, sepse bashkë me të ëmën po kalonin natën jashtë te këmbët e urës së Dajlanit. Krejt rastësisht, pasi i blatuam shpirtin e asaj fëmije, i kujtuam me cinizëm edhe njëherë Nënë Terezës se spitalin që e la amanet nuk e ndërtojmë, por jemi të ngazëllyer që po shenjtërohet. Unë dua të pyes po Nënë Tereza vërtet shpirt shqiptarësh kishte? Ndoshta po, por jo nga ky shpirti i shqiptarëve të sotëm që përziejnë rastësisht ballot me vdekjen nga i ftohti poshtë urës së Dajlanit.
Gazeta “Shqip”
Top Channel