“Air France”, ulje të detyruar në Kenia. Dyshohej për bombë në tualet

20/12/2015 00:00

Një avion i “Air France”, i nisur nga Mauritius drejt Parisit, është detyruar të ulet në qytetin bregdetar të Kenias, Mombasa, pasi është gjetur një pajisje e dyshuar si bombë në tualet.

Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë të policisë keniane gjatë kësaj të diele. “Boeing 777” i kompanisë franceze, me numrin e fluturimit 463, ishte drejtuar për në Aeroportin “Charles de Gaulle” të Parisit, kur papritur pilotët kërkuan ulje të detyrueshme në Aeroportin ndërkombëtar “Moi”, vetëm 37 minuta pas mesnate, tha zëdhënësi i policisë, Charles Owino.

“Avioni kërkoi ulje të detyrueshme, sapo ishte pikasur një pajisje e dyshuar të ishte eksploziv në tualetet e tij”, tha Owino. Në avion ishin 459 pasagjerë dhe 14 anëtarë ekuipazhi, teksa ishin nisur nga Mauritius në orën 21 të mbrëmjes së të shtunës.

Megjithatë, të gjithë pasagjerët u evakuuan në kohë dhe pajisja është bërë e mundur të nxirret jashtë avionit, konfirmoi më tej Owino. Ekspertë të mjeteve shpërthyese nisën menjëherë analizimin e eksplozivit të dyshuar, sipas zëdhënësit të policisë.

“Objekti, i cili besohej të ishte një pajisje shpërthyese, është nxjerrë me sukses nga avioni”, njoftoi edhe Autoriteti Aeroportual i Kenias përmes rrjetit social Twitter, duke shtuar se të gjitha fluturimet e planifikuara drejt Mombasas në atë periudhë u pezulluan, për të rinisur pak më vonë.

“Avioni u ul me një ngadalësi të paparë, por ne e kuptuan se kishim të bënim me diçka jonormale, – tha një pasagjer, i identifikuar si Benoit Lucchini nga Parisi. Ai foli për gazetarët pasi u evakuua nga avioni në Mombasa. – Personeli i ‘Air France’ u tregua shumë profesionist. Ishin të mrekullueshëm, pasi ruajtën qetësinë te kushdo. Nuk po e merrnim veshë se çfarë po ndodhte. Thjesht vumë rripin e sigurisë sepse do të uleshim në Mombasa. Dyshuam për ndonjë problem teknik, por nuk ishte kështu. Mësuam më vonë se bëhej fjalë për një pajisje në tualet që dyshohej për bombë”.

Top Channel