Siri, ofensivë e ushtrisë së Assad në Aleppo

19/12/2015 16:00

Ata pak sirianë që kanë mbetur ende në qytetin e shkatërruar nga konflikti disavjeçar, Aleppo, janë vënë në arrati pas ofensivës së fundit të trupave të presidentit Bashar al Assad.

Aktivistë të të drejtave të njeriut raportojnë se të paktën 70 mijë persona janë zhvendosur ditët e fundit nga pjesa jugore e qytetit, fortesë e rebelëve anti-Assad, të cilët po përballen me ofensivën e radhës të ushtrisë siriane.

Zaidoun al-Zoabi, kreu i Unionit të Organizatave Siriane për Ndihmë Mjekësore thotë se me mijëra vetë janë në qiell të hapur pa strehë, ushqime dhe ndihmë mjekësore. Ai lëshon alarmin se me ardhjen e stinës së dimrit, gjërat mund të vështirësohen akoma më shumë për këta të zhvendosur.

Ofensiva e fundit e ushtrisë siriane për marrjen e kontrollit të Aleppo-s është e katërta brenda dy javësh. Në të katërta këto operacione janë përfshirë edhe avionët luftarakë rusë që ndihmojnë nga ajri trupat në terren.

Ditët e fundit, ndihmuar nga avionët rusë ushtria e Damaskut ka fituar terren dhe përveç periferisë së Aleppo-s, ushtarët e Assad-it kanë avancuar edhe në Homs, Hama dhe në veri të provincës bregdetare, Latakia.

Top Channel