Kriza siriane, Këshilli i Sigurisë në OKB gati për projektrezolutën

18/12/2015 00:00

Pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurisë në OKB kanë rënë dakord mbi tekstin e projektrezolutës së Kombeve të bashkuara dedikuar procesit të paqes në Siri, bëjnë të ditur diplomatët.

Këshilli 15-anëtarësh pritet ta miratojë këtë rezolutë në orët e mëvonshme të së premtes, deklaruan zyrtarët me njohuri mbi punimet.

Fuqitë botërore janë mbledhur në Nju Jork, në përpjekje për të avancuar më tej një plan, që mund të çojë së shpejti në armëpushim në Siri.

Lufta civile siriane, e cila po hyn drejt vitit të saj të pestë, ka lënë të vrarë më shumë se 250 mijë njerëz, ndërkohë që rreth 12 milionë njerëz janë larguar nga vendi, sipas shifrave të OKB-së.

Teksti i projektrezolutës u kërkon vendeve të OKB-së që të ulin në një tryezë të përbashkët qeverinë siriane dhe opozitën, për të zhvilluar bisedime, duke nisur të paktën nga fillimi i janarit. Ai kërkon gjithashtu që të vendoset edhe një armëpushim mes palëve, paralelisht me bisedimet.

Gjithsesi, veprimet kundër grupeve të konsideruara organizata terroriste nuk do të preket. Kjo gjë do t’u lejojë sulmeve arore ruse, franceze dhe amerikane vijimin kundër Shtetit Islamik.

Votimi zyrtar për miratimin e tij në Këshillin e Sigurisë pritet të zhvillohet në orën 16, me orën lokale, apo më 22 të kësaj mbrëmjeje, sipas orës sonë.

Top Channel