Rezervat federale rrisin normat e interesit

17/12/2015 00:00

Pas më shumë se 9 vitesh, Rezervat Federale rrisin normat e interesit me 0.25 përqind. Një hap i tillë i jep fund një periudhe të jashtëzakonshme e të një poltike monetare, e cila nisi në fillim të krizës më të rëndë financiare, që prej Depresionit të Madh.

Në një deklaratë, Rezervat Federale shpjeguan vendimin, duke thënë se rritja e normave të interesit do të jetë graduale, pasi siç thuhet kushtet garantojnë vetëm rritje të tilla. Një masë e tillë pritet të trazojë ujërat në vende të ndryshme të botës, dhe mund të rrisë trysninë ndaj Britanisë së Madhe për të rritur edhe ajo normat e interesit.

Masa do të nënkuptojë gjithashtu kosto më të larta të huamarrjes për ekonomitë në zhvillim, shumica e të cilave po përjetojnë një rritje të ngadaltë. Normat e interesit në SHBA, kanë qënë pranë zeros që prej 2008-s.

Ekzistojnë shqetësimet se rritja do të ngadalësojë edhe më shumë ritmin e ekonomisë, pasi normat më të larta të interesit në SHBA mund të fuqizojnë dollarin, monedha në të cilën marrin borxh shumica e vendeve dhe kompanive. Politika e re amerikane, bie ndesh me atë në Europë, ku po implementohen edhe kushte që lehtësojnë marrjen e kredive.
 
Banka qëndrore europiane, më herët gjatë këtij muaji reduktoi normat e interesit të depozitave nga -0.2 perqind në -0.3 perqind dhe zgjati përtej afatit një program prej 60 miliard eurosh. Ndërkohë banka e Anglise votoi gjatë këtij muaji për të ruajtur në 0.5 përqind normat e interesit. Ato nuk pritet të rishikohen para fundit të 2016-s.

I menjëhershëm ka qënë impakti i vendimit të rezervave federale në tregjet aziatike elektronike, që përjetuan një rritje të konsiderueshme. Dollari u fuqizua ndaj jenit nje ditë më herët, duke u këmbyer me 122.57 jen. Një Jen më i dobët është në dobi të eksportuesve më të mëdhenj japonezë.

Top Channel