Kryeministri Nikolla Gruevski ka dëshmuar të hënën para Komisionit hetimor parlamentar për skandalin e përgjimeve, por pa praninë e gazetarëve.

Me kërkesë të tij, sigurimi i Kuvendit ka mbyllur dyert e komisionit për përfaqësuesit e mediave. Para fillimit të seancës, Gruevski tha se dëshironte të dëshmonte në një atmosferë të qetë.

“Unë veproj në bazë të rregullores, që të mund t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve në një atmosferë të qetë. Kjo seancë do të xhirohet, do të ketë edhe stenograme, të cilat do të jenë ligjore”, deklaroi Gruevski.

Kryeministri maqedonas ka pritur rreth dy orë jashtë sallës ku duhej të dëshmonte derisa anëtarët e komisionit ranë dakord që seanca të zhvillohej pa praninë e mediave.

Deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov tha se kërkesa e kryeministrit është në kundërshtim me idenë e formimit të Komisionit hetimor, i cili duhet të punojë në mënyrë transparente për të vërtetuar përgjegjësinë politike për skandalin e përgjimeve.

“Komisioni hetimor nuk është formuar për t’u fshehur qytetarëve faktet rreth bisedave të përgjuara. Mua më vjen keq që Nikolla Gruevski vendosi të dëshmojë pa praninë e mediave”, deklaroi Shilegov.

E ftuar për të dëshmuar para Komisionit ishte dhe ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, e cila nuk u paraqit në seancë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA