Pakti i Parisit për klimën, Obama: Mundësia më e mirë e shfrytëzuar

13/12/2015 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama e lavdëroi akordin mbi ndryshimet klimatike, të arritur të shtunën në Paris, si një marrëveshje të fuqishme dhe historike, duke e quajtur madje si “mundësinë më të mirë” për të shpëtuar planetin nga efektet e ngrohjes globale të klimës.

“Sot, populli amerikan duhet të jetë krenar, sepse kjo marrëveshje historike vjen edhe falë udhëheqësisë amerikane. Përgjatë 7 viteve të fundit ne kemi transformuar Shtetet e Bashkuara në rolin e udhëheqësit global në luftën kundër ndryshimeve klimatike”, tha Obama.

Presidenti amerikan shtoi se akordi tregon gjithashtu se çfarë është e mundshme të arrihet, kur bota vepron si një e tërë, e bashkuar, kur tha: Kjo marrëveshje përfaqëson mundësinë më të mirë që kemi pasur ndonjëherë në duart tona, për të shpëtuar planetin tonë.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë disa orë pas përfundimit të marrëveshjes, Obama tha se “asnjë marrëveshje nuk është perfekte, përfshi edhe këtë”, dhe se negociatat që përfshijnë rreth 200 kombe janë gjithnjë sfiduese.

“Edhe nëse të gjitha objektivat fillestare të përcaktuara në Paris do të përmbushen, ne do të kemi hedhur veçse një hap, kur bëhet fjalë për reduktimin e karbonit nga atmosfera”, shtoi Obama.

Presidenti amerikan e kishte kthyer luftën kundër ndryshimeve klimatike si prioritetin parësor të presidencës së tij, por është përballur me një rezistencë tepër të ashpër nga republikanët në Kongres.

Top Channel