Tragjike në Lindjen e Mesme/ Masakër gjatë një ceremonie mortore, 10 persona vriten pas një sulmi me armë zjarri në një kishë në Jordani Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë ruse të ndërmarrë veprimet më të ashpra të mundshme ndaj çdo kërcënimi, që i kanoset forcave të saj në Siri. Shënjestra të tilla do të shkatërrohen në moment, ishte deklarata e shefit të Kremlinit, që preferoi të mos hynte në detaje.
Por, pohimet e Putinit vijnë në sfondin e tensioneve të përshkallëzuara me Turqinë, çfarë lë të kuptohet se paralajmërimi, edhe pse jo i drejtpërdrejtë, mund të jetë një shigjetim për Ankaranë.
Sulmet ruse në Siri nisën në shtator, me pretendimin se kjo ishte kërkesa e Presidentit sirian, Bashar al-Assad. Putin u tha krerëve ushtarakë se, terroristët në Siri përbënin një kërcënim për vet Rrusinë, e për këtë arsye, një bazë ushtarake e Moskës në atë vend do të marrë pajisje mbrojtëse shtesë, e do të përforcohet me njësi të reja ajrore.
Është e rëndësishme, nënvizoi kreu i shtetit rus, të zhvillohet bashkëpunimi me të gjithë shtetet që kanë një interes real në shkatërrimin e terroristëve. Kjo – sipas Putinit, – përfshin vendosjen e kontakteve me forcat ajrore izraelite e ato të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, me qëllimin të garantohet siguria e fluturimeve.
Komentet e tij erdhën pak pas njoftimeve se, opozita siriane ra dakort me krijimin e një kornize dhe mekanizmi me spektër të gjerë, i cili t’iu lejojë sa politikanëve të saj, ashtu edhe rebelëve kundërshtarë të regjimit, mundësinë e angazhimit në negociata me qeverinë.
Një zhvillim i tillë shërben si prelud për takimin e planifikuar më vonë gjatë muajit nga fuqitë e huaja, përfshirë Rusinë dhe Iranin, ku do të hidhen bazat e bisedimeve mes rebelëve dhe regjimit, të menduara të mbahen në fillim të janarit.
Top Channel