Njëri prej agresorëve të Parisit ishte refuzuar nga ushtria franceze

11/12/2015 00:00

Foued Mohamed-Aggad, njëri prej 3 agresorëve që qëlluan për vdekje 90 persona në sallën e koncerteve “Bataclan” në Paris një muaj më parë, është refuzuar nga ushtria franceze dhe me shumë mundësi edhe nga policia, përpara se Shteti Islamik ta merrte dhe ta bënte të luftonte për ta.

Rekrutuesi i ushtrisë në qytetin lindor të Strasburgut vendosi, pas kryerjes së testeve fizike dhe psikologjike, se ai nuk ishte një kandidat i përshtatshëm për të veshur uniformën si një ushtar francez.

Identiteti i Mohamed-Aggad u përcaktua vetëm këtë javë, për shkak të një mesazhi “SMS” që e ëma e tij Fatima kishte marrë. Mesazhi vinte nga bashkëshortja e tij, Hadjira, e cila ndodhet në Siri. Ajo njoftonte nënën e 4 fëmijëve (vjehrrën) se djali i saj më i vogël kishte humbur jetën “bashkë me vëllezërit e tij” më 13 nëntor, natën e sulmeve të Parisit.

Duke iu frikësuar më te keqes, për shkak se djalin e saj më të madh e ka tashmë në burg me dyshimin për lidhje me terrorizmin, gruaja e lindur në Marok shkoi tek avokati i familjes. Kryerja e analizave të ADN-së dhe përqasja e rezultateve pasuan më tej.

Mohamed-Aggad ishte nisur drejt Sirisë në vitin 2013 dhe, pavarësisht se largimi i tij nuk ishte sekret në vendlindjen e tij të Wissembourg, në Francën veriore, shumë prej atyre që e njihnin u tronditën kur mësuan mbi rolin e tij në vrasjet e Parisit.

Top Channel