Mbështetësit e republikanëve janë të ndarë për deklaratat e Trump

11/12/2015 00:00

Propozimi i kandidatit kryesor republikan në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump që muslimaneve t’iu ndalohet hyrja në SHBA, shkaktoi zemërim në mbarë botën, por ndërsa shumica e amerikanëve vetë ndanë të njëjtën indinjatë, mbështetësit e Partisë Republikane janë të përçarë.

Një sondazh i NBC News dhe Wall Street Journal tregon se 39 % e votuesve republikanë e kundërshtojnë idenë e manjatit të pasurive të patundshme, por pothuajse po aq të tjerë apo 38% e mbështetin pa asnjë hezitim. Ndërsa mes të rriturve që identifikohen si republikanë, por që mund edhe të mos votojnë në paraprake, planin e Trumpit e përkrahin 42%, ndërsa vetëm 36%, e kundërshtojnë.

Amerikanët shfaqen të ndarë edhe kur diskutohet qasja në tërësi e Donald Trumpit gjatë fushatës së zgjedhjeve të 2016-tës. 41% e tyre mendojnë se deklaratat polemizuese të miliarderit shpeshherë ofendojnë, ndërsa ndajnë bindjen se për shumë çështje, ai mban një qëndrim të gabuar.

Por 24% argumentojnë se biznesmeni njujorkez prek tema nevralgjike, të cilat i shohin si tepër të rëndësishme edhe pse bezdisen nga mënyra sesi Trump i hedh në diskutim, apo edhe gjuha që përdor. 22% këmbëngulin se Trump-i është një njeri që nuk trembet t`i thotë gjërat troç dhe se ka qëndrimin e duhur.

Vala e zemëratës nga deklarata e muslimanëve vazhdon megjithatë nëpër botë. Në Britani, një peticion zyrtar në internet ku bëhet thirrje që atij t’i ndalohet hyrja në vend, ka mbledhur mbi 100 mijë firma, çka do të thotë se do të shqyrtohet mundësia e debatimit të tij në Parlament.

Komentet e Trumpit i dënojnë me forcë edhe shumica e parizienëve, edhe pse në kryeqyteti francez, plagët psikologjike të shkaktuara nga sulmet terroriste të 13 nëntorit, janë ende të hapura.

Top Channel