CR7: Më mungon Ancelotti, sikur të punoja sërish me të…

11/12/2015 00:00

Reali i Madridit është rikthyer të marrë frymë lirshëm, pas një momenti negativ të kaluar, ndërkohë që Cristiano Ronaldo ka rigjetur buzëqeshjen, pas 4 golave të shënuar ndaj Malmos, në Champions League.

Megjithatë, edhe pse Benitezi nuk përbën një “argument” tashmë, në një intervistë të dhënë për “ESPN”, CR7 e ka kujtuar me kënaqësi të madhe të kaluarën. E mbi të gjitha, raportin e tij të jashtëzakonshëm me Carlo Ancelottin, trajnerin që e ngjiti në majën e Europës me Realin.

“Ancelotti ka qenë një surprizë e pabesueshme, – ka thënë ai për ESPN. – Në fillim mendova se ishte i egër, ndoshta edhe pak arrogant, por kuptova që ishte krejt e kundërta. Le të themi se ishte shumë kërkues, një person i zoti dhe tepër i ndjeshëm. Fliste me ne çdo ditë, me të gjithë e jo vetëm me mua. Madje edhe argëtohej me ne. Është me të vërtetë një person i pabesueshëm. Çdo futbollist duhet ta ketë mundësinë të punojnë qoftë edhe një herë të vetme me të, sepse është një trajner i madh. Më mungon shumë, fituam shumë së bashku dhe një ditë shpresoj që të mundem të punoj sërish me të. Edhe pse tani ndihem mirë, kam një trajner të ri dhe jam i lumtur gjithsesi. Megjithatë, është bukur të kesh kujtime të bukura”, ka rrëfyer ndër të tjera ai.

Top Channel