Dënimi i Manchester Cityt, reagon agjenti i Donnarummës: Asgjë nuk ndryshon për ne
Sir Alex Ferguson ka folur hapur për vdekjen dhe për mënyrën se si e ka përjetuar ndër vite përballjen me vdekshmërinë.
Legjenda e Manchester United pranon se mendimi për vdekjen i kalon herë pas here në mendje, por thekson se nuk ka frikë të vdesë.
Në moshën 84-vjeçare, Ferguson ka kaluar një hemorragji të rëndë cerebrale dhe humbi bashkëshorten e tij të dashur, Lady Cathy, në vitin 2023. Në librin e tij të ri, Games of My Life, ish-trajneri i United reflekton mbi jetën, karrierën dhe momentet që e kanë formuar atë.
Ferguson shkruan se nuk dëshiron të përqendrohet te ajo që e pret pas jetës, por preferon të shfrytëzojë maksimalisht kohën që i ka mbetur.
“Nuk jam nga ata që mendojnë gjatë për atë që Krijuesi im ka rezervuar për mua dhe as nuk kam frikë të vdes.”
Megjithatë, ai pranon se lajmi për projektin e stadiumit të ri të Manchester United e bëri të mendojë për të ardhmen dhe nëse do të jetë gjallë për ta parë përfundimin e tij.
“Kur United njoftoi planet për një stadium të ri fantastik për të zëvendësuar Old Trafford, e gjeta veten duke menduar nëse do të isha aty për të festuar hapjen e tij.”
Manchester United njoftoi në vitin 2025 planet për një stadium të ri me 100 mijë vende, me një kosto të parashikuar prej rreth 2 miliardë paundësh. Ndërtimi pritet të zgjasë pesë deri në gjashtë vjet, nëse projekti ecën sipas planit.
Ferguson, me humorin karakteristik, shton se nëse stadiumi përfundon pas pesë vitesh, ai do të jetë duke iu afruar moshës 90-vjeçare.
“Shpresoj që të fillojnë punimet shpejt, sepse nëse duhen pesë vjet për ta përfunduar, do të jem duke iu afruar të 90-ave. Megjithatë, e di se do të jem në ceremoni në një mënyrë ose në tjetrën – fizikisht ose shpirtërisht.”
Në librin e tij, Ferguson rikthehet edhe te një prej momenteve më të vështira të jetës së tij: hemorragjia cerebrale e vitit 2018.
Ai tregon se atë ditë, në spitalin Salford Royal, katër pacientë të tjerë iu nënshtruan operacionit për të njëjtin problem dhe vetëm dy prej tyre mbijetuan.
Ferguson e konsideron veten me fat që është ende gjallë dhe thekson se shpëtimi i tij ishte rezultat i një sërë rrethanash të favorshme: familja reagoi shpejt, ndihma mjekësore mbërriti në kohë, ambulanca veproi siç duhej dhe mjekët kryen ndërhyrjen pa vonesa.
“Bota ime iu afrua në mënyrë të rrezikshme fundit”, shkruan ai, duke shprehur gjithashtu keqardhjen për familjet e pacientëve që nuk patën të njëjtin fat.
Një prej ndeshjeve që Ferguson përfshin në librin e tij është rikthimi në Old Trafford pas hemorragjisë cerebrale. Ish-trajneri mori një pritje jashtëzakonisht emocionuese përpara ndeshjes së Premier League ndaj Wolverhampton.
Ferguson kujton se që në momentin kur zbriti nga makina, ndjeu mbështetjen e të gjithë komunitetit të Manchester United.
Ai e përshkruan momentin si një rikthim në një vend shumë të dashur dhe thotë se pritja e tifozëve i tregoi se nuk ishte harruar.
Një tjetër pjesë e librit i kushtohet humbjes së bashkëshortes së tij, Cathy Ferguson, me të cilën ishte martuar për 57 vjet.
Ferguson kujton finalen e FA Cup të vitit 2023, ku Manchester United u përball me Manchester Cityn. Për të, ajo ndeshje kishte një peshë të veçantë emocionale për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të Cathy.
Pas finales, ai u kthye menjëherë nga Londra në Manchester, duke mos dashur të qëndronte larg saj gjatë natës.
Vetëm pak muaj më vonë, Cathy ndërroi jetë.
Ferguson kujton me emocion ceremoninë mortore në Katedralen e St Andrew në Glasgow dhe praninë e familjarëve, miqve, ish-lojtarëve, drejtuesve dhe njerëzve të shumtë që kishin qenë pjesë e jetës së çiftit.
Për Sir Alex Ferguson, libri i ri nuk është vetëm një rikthim te 21 ndeshje që përcaktuan karrierën e tij, por edhe një reflektim shumë personal mbi jetën, humbjen, familjen dhe trashëgiminë që do të lërë pas.
Top Channel