Ylli i Interit drejt Shqipërisë? Trajneri zbulon: Ai më tha se donte të vinte, shpresoj që…

08/10/2026 11:48

Italia U21 do të jetë një prej skuadrave që do të zbarkojë në Shqipëri vitin e ardhshëm për të marrë pjesë në Kampionatin Europian U21, turne që do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi.

Skuadra e drejtuar nga Silvio Baldini siguroi matematikisht kualifikimin këtë javë, pasi mposhti Poloninë në ndeshjen e fundit të grupit.

Italia ka zhvilluar një fushatë pozitive në eliminatore, ndërsa në Europian mund të përforcohet edhe me futbollistë që aktualisht janë pjesë e kombëtares së madhe italiane.

Megjithatë, trajneri Silvio Baldini ka bërë të ditur se nuk pret një “revolucion” në skuadër dhe se vetëm një emër mund t’i bashkohet grupit të tij nga përfaqësuesja A: Pio Esposito, sulmuesi i Interit.

Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, Baldini u shpreh qartë për planet e tij:

“Kë do të marr nga ekipi A? Asnjë. Mbaj këta që kam, djemtë e mi. I vetmi që më ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij është Pio Esposito, nëse nuk do të jetë i angazhuar me ekipin e parë.”

Trajneri italian zbuloi gjithashtu se sulmuesi i Interit ia kishte shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Europianit që në qershorin e kaluar.

“Kur u ndamë në qershorin e kaluar, më tha se do të dëshironte të luante Europianin, edhe për shkak se dy vite më parë nuk ia doli. Shpresojmë që të mos ketë pengesa dhe të na lejojnë ta kemi.”

Pio Esposito do të ishte një përforcim i rëndësishëm për skuadrën e Baldinit, nëse Interi dhe axhenda e kombëtares A do ta lejonin pjesëmarrjen e tij.

Sulmuesi është një prej emrave të rinj më të ndjekur në futbollin italian dhe pjesëmarrja në Europianin U21 në Shqipëri do t’i jepte mundësinë të ishte protagonist në një turne të rëndësishëm ndërkombëtar.

Për tifozët shqiptarë, një tjetër element interesant do të jetë pikërisht prania e Italisë në vendin tonë, me Pio Espositon si një prej emrave që mund të tërheqë më shumë vëmendjen gjatë turneut.

Top Channel