“Golat e Ramos do të vijnë”/ Amorim: E kemi gati planin për tregun e transferimeve

08/10/2026 09:50

Trajneri i Milanit, Ruben Amorim, ka folur për objektivat e skuadrës, merkaton e transferimeve dhe pritshmëritë që ka për Gonçalo Ramos.

Në një intervistë për DAZN, tekniku portugez theksoi se mentaliteti i kuqezinjve duhet të jetë i qartë: fitorja në çdo ndeshje.

“Të fitojmë çdo ndeshje, ky është mentaliteti ynë. Në fund do ta zgjidhim hesapin. Për mua, ky është qëllimi çdo javë. Sa herë që zbresim në fushë, kemi përgjegjësi për të fituar, por jo vetëm kaq. Duhet të përpiqemi të luajmë edhe futboll të mirë”, u shpreh Amorim për DAZN.

Trajneri portugez deklaroi gjithashtu se është i kënaqur me punën e klubit në merkato dhe me mënyrën se si po ndërtohet skuadra, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen.

“Që nga dita e parë kam ndjerë se po bëjmë gjithçka së bashku dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Po përpiqemi ta ndihmojmë klubin jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen. Jemi vigjilentë dhe sjellim lojtarë të gatshëm si Gonçalo Ramos, i cili tashmë është kampion evropian, por duam gjithashtu të sjellim talente si Moreira.”

“Jam vërtet i lumtur me merkaton që kemi bërë, por duhet të përmirësojmë edhe lojtarët që kemi tashmë në skuadër”, shtoi ai.

Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua Gonçalo Ramos, i cili ka qenë protagonist me kombëtaren e Portugalisë dhe po kërkon të gjejë vazhdimësi edhe me Milanin.

Amorim nuk ka asnjë dyshim se golat do të vijnë për sulmuesin portugez.

“Nuk do të them që Ramos duhet të vrapojë më pak. Nuk do ta them kurrë këtë për një lojtar. E di që një sulmues duhet të shënojë gola dhe ai do ta bëjë.”

Trajneri i Milanit theksoi se edhe kur Ramos nuk shënon, kontributi i tij në lojën e skuadrës është i rëndësishëm.

“Nëse shikoni ekipin kombëtar, mendoj se ai ka më pak mundësi për të shënuar. Futbolli është i tillë ndonjëherë, por ai po punon shumë. Nëse po shënojmë gola, kjo është gjithashtu falë Gonçalo Ramos. Ai thjesht duhet të vazhdojë të ndihmojë ekipin dhe të bëjë atë që po bën. Golave patjetër do t’u vijë koha.”

Amorim foli edhe për lidhjen e tij personale me Milanin dhe për rëndësinë që ka për të drejtuar klubin kuqezi.

“Milani ka qenë një nga ekipet e mia që kur isha fëmijë, sepse e gjithë historia e Milanit është e lidhur me ekipet portugeze. Në kohën time, kur isha djalë, Milani ishte ekipi më i fortë në Itali dhe futbolli italian ishte liga më e mirë në botë.”

“E kam ndjekur këtë klub që kur isha i vogël. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe ndiej një përgjegjësi të madhe për ta ndihmuar këtë klub të kthehet në vendin e tij të merituar”, përfundoi trajneri portugez.

Top Channel