Afganistan, shpërthim dhe të shtëna armësh në Ambasadën spanjolle

11/12/2015 00:00

Ambasada e Spanjës në Kabul ka rënë prè e një sulmi prej talebanëve, sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme spanjolle, gjatë kësaj të premteje.

Talebanët bënë të ditur se luftëtarët e tyre ndodheshin brenda “një shtëpie për mysafirët e huaj” në kryeqytetin afgan, pasi arritën të vendosnin një automjet-bombë jashtë rrethimeve të saj.

Ky është i fundit i një serie bastisjesh të guximshme të luftëtarëve talebanë, ndaj objektivave të profilit të lartë në Afganistan. Disa viktima janë dërguar në spitalin më të afërt me vendngjarjen, ndërsa dëshmitarë thonë se vijon ende një shkëmbimzjarri mes talebanëve dhe forcave afgane të sigurisë.

Ky sulm vjen pas atij të ndodhur në Aeroportin e Kandaharit mbrëmjen e së martës, pas të cilit mbetën të vdekur të paktën 50 persona.

Zyrtarë afganë të sigurisë thanë se 7 kryengritës talebanë janë përfshirë në këtë sulm të sotëm. Në vendngjarje kanë shkuar tashmë si forca të sigurisë afgane, ashtu edhe ato spanjolle.

Presidenti spanjoll, Mariano Rajoy është informuar mbi ngjarjen, siç raporton agjencia e lajmeve “Europa Press”. Sipas raportimeve të dëshmitarëve, fillimisht është dëgjuar një shpërthim i zhurmshëm e më pas ai u ndoq nga të shtëna armësh.

Shefi i policisë së Kabulit, Abdul Rahman Rahimi tha për BBC-në se “mund të konfirmonte vetëm një automjet të mbushur me eksploziv që ka shpërthyer në zonën e Sherpurit”. Menjëherë pas shpërthimit, dy diplomatë spanjollë janë larguar me urgjencë nga ndërtesa. Ndërkohë, sipas policisë afgane, militantët kanë djegur disa automjete të blinduara, që ndodheshin brenda ambasadës.

Shpërthimi i parë shkaktoi flakë të mëdha zjarri në dy shtëpi aty pranë, ndërkohë që “agresorët, me shumë mundësi janë fshehur”, konfirmon një zyrtar policie. “Kemi bllokuar të gjitha rrugët dhe jemi duke kërkuar për ta”, shtoi ai.

Top Channel