Trump u përgjigjet kritikëve: S’kam ndërmend të tërhiqem nga gara

10/12/2015 11:45

“Nuk kam për ta lënë kurrë këtë garë” ishte përgjigjia e Donald Trump ndaj indinjatës dhe valës së kritikave që shkaktuan komentet e tij mbi myslimanët.

Kandidati presidencial republikan i tha “Washington Post”, se pavarësisht të gjithave, as që i shkon ndërmend të tërhiqet.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se manjati i pasurive të paluajtshme duhet të konsiderohet “i skualifikuar” me pretendimet e tij se myslimanët nuk duhen lejuar të shkelin në Shtetet e Bashkuara.

Komentet e bëra në vazhdën e sulmit vdekjeprurës me sfond terrorist në San Bernardino të Kalifornisë ngjallën reagime të ashpra në mbarë botën.

Më i fundit që i hodhi poshtë vërejtjet e Trump ishte kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili vetëm pak orë pasi miliarderi republikan njoftoi se brenda këtij muaji do të zhvillojë një vizitë në shtetin hebre, nxitoi të deklaronte se “Izraeli i respekton njësoj të gjitha besimet”.

Nga ana tjetër ka ekspertë që thonë se propozimi i biznesmenit njujorkez shkel Kushtetutën amerikane, e cila ndalon diskriminimin në bazë të fesë dhe u jep qytetarëve të drejta të barabarta.

Megjithëse me pohimet që bën Donald trump nuk rresht së ngjalluri polemika, 6 javë përpara zgjedhjeve paraprake, ku votohet për kandidatin partiak në zgjedhjet presidenciale, sondazhet tregojnë se ai vazhdon të kryesojë garën në kampin republikan.

Përmes një mesazhi në Twitter, Trump ka lënë të kuptohet se mund të garojë edhe si i pavarur. Ndërsa një anketim i “USA Today” ka dalë në përfundimin se mbështetësit e miliarderit do të votonin për të edhe nëse do të vendoste të largohej nga partia republikane.

Top Channel