Në mbledhjen e kësaj të enjteje të Këshillit të Prokurorisë, prokurorët i kanë kërkuar eprorit të tyre Adriatik Llalla që të reagojë përballë mungesës së efiçencës në institucionet me të cilat bashkëpunohet.
Prokurorët që janë pjesë e këshillit akuzuan oficerët e Policisë Gjyqësore dhe të institucioneve të tjera si Policia e Shtetit, Tatimet apo Doganat se po bëhen shkak për zvarritjen e hetimeve të prokurorisë.
Sipas prokurorëve, prurjet e institucioneve të tjera për raste korruptive në radhët e zyrtarëve të nivelit të lartë janë thuajse zero.
Prokurorët thanë se, kjo situatë ka krijuar idenë se korrupsioni ekziston vetëm në sistemin e drejtësisë. Më tej gjatë mbledhjes është sugjeruar që prokurorët të mos jenë më tolerantë ndaj veprimeve joproceduriale të policisë.
Nga ana e tij, prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla i ka siguruar vartësit se do të vijojë të angazhohet për bashkëpunimin e mëtejshëm institucional dhe se do të adresojë problematikën pranë strukturave përkatëse.
Top Channel