OKB-Kinës: Ndaloni torturat dhe përndjekjet politike

10/12/2015 09:30

Organet mbikëqyrëse të OKB-së i kanë bërë thirrje Kinës që t’i japë fund përdorimit masiv të torturave në burgjet e saj dhe të mbyllë ato sekrete.

Komiteti Kundër Torturës i ka bërë gjithashtu thirrje qeverisë së Pekinit që të ndërpresë përndjekjen e avokatëve dhe aktivistëve.

Komiteti publikoi raportin e tij pasi mori në pyetje një delegacion të gjerë të qeverisë kineze në kuadër të një seance dyditore. Raporti i jep Pekinit një vit kohë për të bërë progres në implementimin e Konventës Kundër Torturës.

“Komiteti mbetet seriozisht i shqetësuar lidhur me të dhënat e vazhdueshme që tregojnë se praktikimi i torturës dhe keqtrajtimi janë thellësisht të rrënjosur në sistemin e drejtësisë kriminale, që në shumicën e rasteve bazohet tek rrëfimi i të arrestuarve për të caktuar dënimin”, thuhet në raport.

Në seancën për shqyrtimin e të dhënave mbi torturën, të mbajtur për herë të parë që prej vitit 2008, zyrtarët e shtetit kinez mohuan akuzat se në Kinë ka ende të burgosur politikë dhe deklaruan se tortura janë ndaluar prej kohësh.

Top Channel