Rebelët, armëpushim me qeverinë. Ushtria e Assad rimerr Homsin

09/12/2015 00:00

Rebelët sirianë po evakuohen nga qyteti gjysmë i rrënuar i Homsit, pas arritjes së një armëpushimi me qeverinë e Bashar al-Assadit.

Sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, vulosja e një pakti të tillë nënkupton se Homsi tashmë kthehet tërësisht nën kontrollin e trupave të regjimit. Të larguarit do t’iu drejtohen disa zonave të provincës së Idlibit, të cilat janë ende në duart e rebelëve.

Homsi, skenë e një vale të parë protestash kundër Assadit në 2011-n, njihet ndryshe dhe si kryeqyteti i revolucionit. Pavarësisht përpjekjeve të dhunshme të forcave qeveritare për të shtypur revoltën apo ndërhyrjeve të milicisë pro-Assadit, që shkaktuan me dhjetëra të vdekur, demonstratave iu bashkuan asokohe mijëra vetë.

Megjithatë, në 2012-n, ushtria nisi një valë bombardimesh ndaj zonave të kontrolluara nga rebelët, duke e kthyer një pjesë të qytetit në gërmadhë. Tani, falë marrëveshjes së armëpushimit të arritur me ndërmjetësimin e OKB-së, në lagjen al-Ëaer, ish-bastion të kryengritësve, kanë mbërritur për të parën herë në gati një vit ndihma ushqimore.

Brenda ditës së sotme, nga Homsi pritet të largohen rreth 800 vetë, si luftëtarë antiqeveritarë, ashtu edhe civilë. Përpara arritjes së marrëveshjes, autoritetet siriane liruan 35 mbështetës të opozitës, që mbaheshin të burgosur në Homs, ndërsa në disa zona të vendit, Damasku zyrtar u ka lejuar grupeve kryengritëse të mbajnë armët e tyre e të kenë edhe një farë kontrolli mbi komunitetet.

Homsi, qyteti i tretë më i madh i Sirisë, ka pasur gjithmonë një rëndësi kyçe gjeografike, strategjike dhe ekonomike. Përpara revoltës, popullata e tij llogaritet në gati 1,5 milionë banorë.

Top Channel