Protestuesit e ndaluar: Policia na dhunoi

09/12/2015 21:10

Në orët e mbrëmjes së të mërkurës, 20 deputetë të Partisë Demokratike dhe mbështetës të kësaj force politike janë mbledhur sërish përpara ambienteve të Komisariatit Nr.1 në kryeqytet, duke kërkuar me forcë lirimin e protestuesve të arrestuar.

Sipas deputetëve të PD, arrestimi i 5 protestuesve ishte i paligjshëm dhe ndaj tyre ishte ushtruar dhunë. Këtë gjë e ka pohuar dhe një prej protestuesve të arrestuar, Arben Hajdari, i cili ka treguar shenjat e dhunës dhe ka pohuar se është qëlluar nga efektivët e policisë gjatë shoqërimit.

Deputetët demokratë kanë debatuar dhe me shefin e këtij komisariati, ku kanë kërkuar me forcë lirimin e personave të ndaluar dhe e kanë akuzuar për shkelje të ligjit. Ndërkaq, pas një ore proteste, nga komisariati Nr.1 është liruar Aurel Filaji, i arrestuar më herët gjatë ditës, ndërsa 4 të ndaluarit e tjerë pritet të përballen me gjykatën, ku dhe do t’i caktohet masa e sigurisë.

Më herët gjatë ditës, Policia e Tiranës njoftoi se 5 persona ishin arrestuar dhe 2 të tjerë ishin shpallur në kërkim nën akuzën e shkatërrimit të pronës, lidhur me goditjen e fasadës së Kryeministrisë dhe dëmtimin e bunkerit pranë Ministrisë së Brendshme.

Po ashtu u njoftua se kishte filluar procedimit penal në gjendje të lirë ndaj Enno Bozdos, pasi në cilësinë e Sekretarit Organizativ të PD-së ka firmosur kërkesën drejtuar policisë për organizimin e protestës.

Në gjendje të lirë do të procedohet edhe Besim Ndregjoni, i cili bëri thirrjen nga tribuna e protestës që qytetarët të marshonin drejt bunkerit pranë Ministrisë së Brendshme.‎

Gjatë orëve të paradites, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani denoncoi nga komisariati Nr.1 i Tiranës, keqtrajtimin sipas tij, të të ndaluarve nga protesta e së martës. Sipas Ristanit, ky është një veprim terrori që ka për qëllim frikësimin e opozitës, por që sipas tij, do jetë tërësisht e kundërta dhe në protestën e ardhshme, në shesh do jenë shumë më shumë protestues.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA