ISIS lufton me armë të prodhuara në SHBA

09/12/2015 00:00

Shumica e armëve të ISIS-it janë amerikane. Shteti Islamik, siç tregon raporti më i fundit i “Amnesty International”, ka mundur të grumbullojë një arsenal të konsiderueshëm armësh, pjesa dërrmuese e të cilave janë prodhuar në Shtetet e Bashkuara e i janë marrë ushtrisë irakene dhe grupeve opozitare në Siri.

Raporti 44-faqesh i Organizatës ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut përmban informacione të bollshme mbi pajisje e municione, me të cilat Amerika ka furnizuar qeverinë aleate të Irakut, e që sot përdoren prej militantëve të dhunshëm të ISIS-it.

Dokumenti bëhet publik pikërisht në kohën kur, në vend që të merrte përsipër shtimin e trupave tokësore amerikane në terren, Barack Obama u riangazhua për afrimin e forcave rajonale, përfshirë këtu ato irakene, kurde dhe rebelët e moderuar sirianë, në përpjekjet për zhdukjen e ISIS-it.

“Strategjia që po përdorim tani – sulmet ajrore dhe bashkëpunimi me forcat lokale, që luftojnë për të rimarrë kontrollin e vendit, – është pikërisht ajo që shpresojmë se do të na sjellë një fitore të qëndrueshme”, tha Obama mes të tjerash, në fjalimin e mbajtur të dielën nga Shtëpia e Bardhë.

“Kështu, nuk do të jetë nevoja të dërgojmë jashtë kufijve një brez të ri amerikanësh, që të luftojë e të vdesë për një tjetër dekadë në tokë të huaj”, shtoi Presidenti.

Është parashikuar që forcat lokale të marrin asistencë në formë armatimesh, përmes vazhdimit të fushatës së bombardimeve të koalicionit, apo edhe trajnimit nga forcat speciale amerikane.

Çështja është se, një pjesë e këtyre armëve, siç këmbëngul “Amnesty International”, po bien pikërisht në duart e atyre kundër të cilëve janë dërguar. Pas analizimit të kujdesshëm të një numri të konsiderueshëm fotosh e pamjesh filmike, të marra në Irak e Siri, grupi ka dalë në përfundimin se pjesën kryesore të arsenalit të Shtetit Islamik e përbëjnë armë dhe pajisje të grabitura apo edhe të tregtuara ilegalisht, nga rezervat e ruajtura shumë keq të ushtrisë irakene.

Top Channel