Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, shoqëria civile në Kosovë ka kritikuar institucionet shtetërore se kanë dështuar të luftojnë këtë fenomen që po mban peng zhvillimin e vendit.
Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, organizoi një konferencë për shtyp në sheshin “Nënë Tereza”, prej nga u vlerësua se edhe viti 2015 ka qenë i dështuar në luftën kundër korrupsionit.
“Mund të themi se viti 2015 ka qenë një vit i dështuar në luftën kundër korrupsionit. Aktualisht po përballemi me shumë mungesa. Kemi mungesë projekti nga ana e institucioneve të gjyqësorit për ta luftuar këtë fenomen, kemi ndërhyrje politike dhe nuk kemi një angazhim të qartë nga qeveria dhe organet e tjera vendimmarrëse për mënyrën se si do të adresohet ky problem. Nuk ka një plan se si do të veprohet në të ardhmen. Korrupsioni po i prek qytetarët në mënyrë direkte. Kemi mungesë të liberalizimit të vizave, mungesë të investimeve të huaja dhe të gjitha këto shkaktohen nga korrupsioni”, ka deklaruar përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Artan Canhasi.
KDI ka publikuar edhe disa kartolina për qeverinë, Këshillin Prokurorial dhe gjyqësorin, me këshilla se si të bëhet lufta kundër korrupsionit. Kartolina këto të cilat janë përdorur për të stolisur një bredh të vendosur në sheshin “Nënë Tereza”.
Ndërkohë, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, presidentja Atifete Jahjaga u shpreh përmes një komunikate për shtyp se, korrupsioni është një e keqe që kërcënon çdo shoqëri, që pengon zhvillimin e shtetit, minon sundimin e ligjit dhe ngadalëson rritjen ekonomike të vendit.
Jahjaga tha se, përmes Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, të themeluar dhe udhëhequr nga vet ajo, është përmirësuar bashkërendimi dhe efikasiteti ndërmjet institucioneve të mandatuara për ta luftuar këtë fenomen.
Duke iu referuar Indikatorit Botëror të Qeverisjes të Bankës Botërore, Jahjaga theksoi se Kosova këtë vit ka përmirësuar kontrollin e korrupsionit me 16 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Ajo ftoi Kuvendin që të miratojë sa më parë ligjin e ri për prokurimin publik, i cili sipas saj, përveç se do të sigurojë integritetin e domosdoshëm në procesin e prokurimit, do të mundësojë edhe prokurimin elektronik për ta bërë tenderimin e parasë publike më transparent.
Top Channel