Britani, kreu i laburistëve Corbyn citon Enver Hoxhën

09/12/2015 00:00

Udhëheqësi laburist britanik, Jeremy Corbyn ka rrezikuar të shkaktojë një debat të ri lidhur me disa citime që ka bërë në një mbrëmje me aktivistë dhe zyrtarë të Partisë Laburiste, me rastin e Krishtlindjes, kur ai ka cituar udhëheqësin komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha.

Sipas medias britanike, Corbyn e ka përshkruar diktatorin komunist si një “sundimtar të ashpër”.

Udhëheqësi laburist britanik i është referuar mesazhit me rastin e Vitit të Ri në vitin 1967, drejtuar popullit shqiptar, kur Enver Hoxha kishte thënë: “Ky Vit i Ri do të jetë më i vështirë sesa viti që po lëmë pas. Nga ana tjetër, do të jetë më i lehtë sesa viti i ardhshëm”.

Jeremy Corbyn ka pasur një vit të vështirë në partinë në fjalë, drejtimin e së cilës e mori pas humbjes së laburistëve në zgjedhjet e fundit parlamentare, dhe shumë nga deputetët e kësaj partie, përkrahës të ish-udhëheqësit legjendar Tony Blair, janë kundër politikave dhe qëndrimeve të udhëheqësit të ri, si në rastin e sulmeve ajrore britanike ndaj ISIS-it në Siri.

Ndërkohë, pas këtij votimi ka pasur zëra për spastrime në radhët e deputetëve laburistë të rebeluar.

Edhe pse burime nga Partia Laburiste thonë se kishim të bënim me një humor, ky incident pason një të ngjashëm, kur krahu i djathtë i tij, ministri i ri në hije i laburistëve për Ekonominë, John McDonnell, citoi një pjesë nga libri i vogël i ish-udhëheqësit kinez, kryetarit Mao Ce Dun, në një interpelancë për çështjen e buxhetit javë më parë, duke shkaktuar reagime dhe siklet në radhët e një pjese të deputetëve laburistë në Parlament.

Jeremy Corbyn nuk i fsheh preferencat e tij politike dhe parapëlqimin e tij për marksizmin. Një pjesë e opinonit e vlerësojnë atë për sinqeritetin e pikëpamjeve të tij politike të ekstremit të majtë, ndërkohë të tjerë janë të shqetësuar se një ideologji e tillë, si ajo marksistja, e përqafuar nga ndonjë udhëheqës i majtë britanik, kurrë nuk i ka sjellë ata në pushtet në Britani, në vendlindjen e kapitalizmit.

Top Channel