Romë, hapet Jubileu i Mëshirës Hyjnore; risi prania e dy papëve

08/12/2015 00:00

Me hapjen solemne të Portës së Shenjtë, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku përuroi hapjen e Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës Hyjnore.

Riti sugjestiv i hapjes së portës u shoqërua nga formula “…Nëpër mëshirën tënde të madhe, do të hyj në shtëpinë tënde, o Zot” dhe këtë herë, si kurrë më parë, u krye në praninë e dy Papëve. Pranë Papa Bergoglios ndodhej edhe Papa i nderit, Joseph Ratzinger, i cili shoqëroi ritin me lutje.

Përqafimi në fund mes dy Papëve u përshëndet me brohoritje nga mbi 50 mijë besimtarët që mbushnin sheshin.

“Do të jetë një vit, në të cilin do ndihet fuqimisht forca e dashurisë që fal”, kështu u shpreh Ati i Shenjtë, i cili kujtoi se viti jubilar do të mbyllet më 20 nëntor të vitit të ardhshëm dhe bëri thirrje për të braktisur frikën.

Dita e sotme ishte një provë e rëndësishme për të testuar masat e sigurisë në kryeqytet. Në zonën përreth Vatikanit, prej ditësh janë marrë masa të rrepta, disa prej të cilave do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Është mbyllur një zonë ajrore fluturimi me rreze 10 kilometra, janë angazhuar mbi 4000 agjentë të forcave të rendit dhe të policisë bashkiake gjithsej. Këto ditë janë kryer kontrolle edhe nën ujë, në lumin Tevere, ndërsa këtë të martë u dislokuan qitësa speciale në disa godina përreth dhe u ndalua tërësisht transportimi i karburanteve brenda unazës së qytetit.

Top Channel