Fshati që jeton me refugjatët

07/12/2015 00:00

Fshati Idhomeni është e fundit zonë e banuar greke në kufi me Maqedoninë që po përballet me fluksin gjithnjë e në rritje të refugjatëve që nuk pranohen të hyjnë në tokën maqedonase.

I përbërë nga vetëm 100 banorë ata po ndjejnë çdo ditë jo vetëm presionin e mbipopullimit, por gjithashtu edhe rreziqet që i kanosen nga ata që kanë ngritur çadrat aty pranë.

Nëpërmjet një letre drejtuar qeverisë ata kanë bërë thirrje për marrje të masave të menjëhershme përndryshe do të detyrohen të bllokojnë rrugën dhe asnjë autobus nuk do mund t’i afrohet më kufijve.

Sipas kryetares së zonës, Ksanthula Supli, nëse deri të martën nuk shpërgulen prej andej të gjithë refugjatët që nuk vijnë nga vende si Siria, Iraku apo Afganistani dhe për pasojë nuk u jepet azil, asnjë mjet tjetër transportues nuk do mund të futet në fshat.

 “U be hera e dytë që më hyjnë në shtëpi dhe më shkatërrojnë pronën. Njoftova autoritetet që pasi morën shenjat e gishtërinjve më thanë që do e gjejnë gjatë regjistrimit të refugjatëve. Sot kanë hyrë sërish brenda. Çfarë të bëj? Si ta mbroj pronën time? Nuk po duroj dot më”, thotë një banor.

Fshati përbëhet kryesisht nga njerëz të moshuar dhe ata e ndjejnë frikën e emigrantëve të cilët jo vetëm kanë ngritur tendat aty, por futen në kopshtet e banesat e tyre nga ku shkatërrojnë e marrin prej andej ç’të munden, deri edhe tek mobilje të cilat i përdorin për zjarr duke pasur parasysh temperaturat e ulëta të momentit.

“Në fillim i ndihmonin me çfarë të mundeshim. U sillnim tesha, ushqime etj. por tani gjendja është bërë e papranueshme. Imagjinoni pak një fluks të ardhurish prej gati 9000 personash që qarkullojnë në një fshat ku banojnë pothuajse 100 banorë”, shprehet kryetarja e zonës, Ksanthula Supli.

Top Channel